Me 16 nëntor përkujtojmë Atë Zef Valentinin S. J. në përvjetorin e vdekjes.
Atë Zef Valentini lindi në Padovë më 1 korrik 1900. U diplomua për filozofi në vitin
1924 dhe më pas për teologji në vitin 1928. Ishte vetëm 20 vjeç, kur shkoi për herë
të parë në Shqipëri si misionar jezuit. Ndërmjet viteve 1922-1932 ishte mësues në
Kolegjen e mirënjohur Saveriane të Shkodrës, prandaj vepra e tij e parë, shkruar shqip
e italisht, titullohet “Kolegja Saveriane ndër 50 vjetët e para 1877/´78-1927/´28”.
Më
pas Atë Valentini shkroi biografinë e Garcia Moreno-s dhe nisi një sërë përkthimesh
të autorëve të njohur botërorë në gjuhën shqipe. Paralelisht u muar me studime historike
dhe letrare. Nga viti 1932 deri më 1943 drejtoi revistat e jezuitëve “Lajmtari i Zemrës
së Krishtit” dhe “LEKA”. Në fund të vitit 1943 At Zef Valentini u largua nga Shqipëria
për në Itali, ku drejtoi revistën “Letture” dhe nisi të botojë shumë tekste mbi Shqipërinë.
Në vitin 1955 ishte në krye të Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos,
ku themeloi dhe drejtoi “Qendrën ndërkombëtare të studimeve shqiptare”. Vdiq në
Palermo më 16 nëntor 1979. Për kontributin e madh që dha si njeri kulture e
si bari shpirtrash në Shqipëri, e kujtojmë sot me nderim të thellë, duke cituar fjalët
që tha për të Papa Pali VI më 25 prill 1968, me rastin e festimit të 500-vjetorit
të vdekjes së Skënderbeut në Romë: “Shqiptarë! Duajeni Atë Zef Valentinin, se ai ju
do me zemër. Çmojeni, se ai punon pa pushim për t’i bërë të njohura para botës vlerat
tuaja shpirtërore dhe artistike. Ai është juaji, sepse i ka dhuruar çështjes suaj
mendjen e zemrën e vet”. Disa nga veprat e Atë Zef Valentinit: “Kolegja
Saveriane ndër 50 vjetët e para 1877/´78-1927/´28”; “Biografi e Garcia Moreno-s”;
“Polieucte” e Kornejt (përkthim); “Sauli” i Alfieri-t (përkthim) “Studim mbi hakmarrjen
historike të shqiptarëve” (Bashkautor me Fulvio Cordinjanon); “Kronologji mbi historinë
e Shqipërisë nga viti 313 e deri në shekullin XIII”; “E drejta e komunitetit në traditën
juridike shqiptare” (1956);“Ligji i maleve shqiptare 1880-1932” (1969); “E drejta
juridike shqiptare”; “Akte shqiptaro-veneciane të shekujve XIV-XV”; “Familja në drejtësinë
tradicionale shqiptare” (1946); Revista “Letture” (themeluar prej tij në vitin 1946-n
në Itali); “Shkodra dhe poeti i saj” (ese për Ernest Koliqin); “Fishta” (studim për
Gjergj Fishtën), në të cilin jezuiti Valentini e quan françeskanin Atë Fishta: “Homeri
shqiptar, poet i madh kombëtar e një nga poetët epikë më të mëdhenjtë në botë”. Kujtojmë
se vetëm në revistën e njohur të Ernest Koliqit “Shêjzat”, botoi mbi njëqind artikuj
e studime, që japin ndihmesën e vet në të gjitha fushat e kulturës. Atë Zef Valentini
nuk ishte shqiptar, por ndjehej shqiptar; e fliste dhe e shkruante shqipen më mirë
se një shqiptar dhe bëri për kulturën e vërtetë shqiptare, atë që pak shqiptarë e
kanë bërë. Për Atë Zef Valentinin kanë thënë: Papa Pali VI më 25 prill
1968, me rastin e festimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në Romë: “Shqiptarë!
Duajeni Atë Zef Valentinin, se ai ju do me zemër. Çmojeni, se ai punon pa pushim për
t’i bërë të njohura para botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike. Ai është juaji,
sepse i ka dhuruar çështjes suaj mendjen e zemrën e vet”.
Ernest Koliqi:"At
Valentini mbrriti në Shqipni ne shtatorin e vjetës 1922. N'at muej te ambel e te praruem
vjeshtor, Shkodra e priti me heshtjen dhe nxehtësinë e rrugëve te saj gjarpnuese,
rrethue me gjetht e zverdhuna te lulevileve n'agoni e me aromat e mshehta, qi asokohe
vershojshin prej s'mbrendshmi në rrugë, tue ardhë prej matanë mureve te nalta te oborreve
te mbylluna''.