2014-11-13 14:47:18

Imzot Nykiel: vula e Rrëfimit është gjithnjë e pacënueshme


Më se dyqind pjesëmarrës ishin të pranishëm sot pasdite në kuvëndimin, mbajtur pranë Pallatit të Kancelarisë, në Romë, organizuar nga Pendestaria Apostolike, kushtuar temës: “Vula e rrëfimit dhe fshehtësia baritore”. Folëm me ipeshkvin Kezysztof Nykiel, regjent i Pendestarisë:

Përgjigje: - Tema e sekretit të rrëfimit lidhet posaçërisht me mënyrën e sotme të jetesës. Nuk është gjë e re që në kulturën e ashtuquajtur mediatike, njerëzit mbingarkohen me informacione të tepërta, trullosen nga të dhëna të panumërta kronikash ose, thjesht, lodhen, sepse ditë për ditë përfshihen në vorbullën e viviseksioneve, të dëshirës për t’u dukur ose të përvojës e të ngjarjeve të jetuara. Prandaj njeriu modern ka nevojë të gjejë një hapësirë, ku të mund ta dëgjojnë, ku të mund ta hapë zemrën, ku të jetë i sigurt se nuk i del kurrë fjala, përkundrazi, i ruhet e i mbrohet. E ku ka hapësirë më të mirë, se rrëfyestorja? Kushdo që shkon në rrëfyestore, mund t’i provojë efektet paqëtuese e shëruese të ndjesës pa kusht të Zotit e, njëkohësisht, ka të drejtën të jetë plotësisht i sigurt se çka rrëfeu në ndërgjegjen sakramentore, do të mbetet e vulosur përgjithnjë, edhe pasi të ketë vdekur.

Pyetje: - Aktualisht ka një farë humbjeje të kuptimit të mëkatit? Pse?

Përgjigje: - Është e vërtetë. Posaçërisht ndërmjet të rinjve vërejmë një zbehje në rritje të domethënies së mëkatit. Shkaku kryesor i kësaj humbjeje, besoj, duhet kërkuar kryesisht tek përjashtimi i Zotit nga horizonti kulturor modern. Shumë njerëz nuk e vënë më Zotin në qendër të jetës së tyre. Nuk ia njohin përparësinë, që i takon. Gjithçka sot është e lejueshme. Opinioni personal është e vetmja e vërtetë. Prej këndej njeriu modern e ka të vështirë ta pranojë mëkatin e të kërkojë falje, gjë që shpjegon, në rrënjë, edhe vështirësitë e praktikës së krishterë të rrëfimit ose të sakramentit të pajtimit me Zotin. Ne, që shërbejmë në këtë Gjykatë të mëshirës e të hirit, i jemi shumë mirënjohës Atit të Shenjtë Françeskut për fjalimet dhe inkurajimet drejtuar besimtarëve, që të mos dyshojnë kurrë për të vërtetën se mëshira e Zotit është gjithnjë më e madhe nga çdo mëkat, e, prej këndej, t’i afrohen me besim rrëfyestores.

Pyetje: - Që kur nisi t’i kushtohet vëmendje e posaçme sekretit të Rrëfimit?

Përgjigje: - Praktikisht, gjithmonë. Kisha, që nga zanafilla, i ka kushtuar vëmendje të posaçme fshehtësisë së takimit të mëkatarit me meshtarin në mbarshtimin e Sakramentit të Rrëfimit. Por, që me Koncilin Lateranens IV (1215), një kanun i posaçëm sanksionon për herë të parë detyrimin moral e juridik, si ligj universal i Kishës, duke parashikuar masa të rënda ndëshkimore për meshtarët, që nuk e respektojnë sekretin e Sakramentit.

Pyetje: - Si e disiplinon dhe e rregullon ligjshmëria kishtare në fuqi fshehtësinë e rrëfimit?

Përgjigje: - Kodi aktual, në kanunin 983, thotë kështu: “Fshehtësia sakramentore është e paprekshme, prandaj rrëfyesi e ka të ndaluar ta tradhtojë, qoftë edhe pjesërisht, pendestarin, me fjalë ose me çfarëdo mënyre tjetër e për çdo lloj arsyeje. Ky parim i pacënueshmërisë absolute të sekretit të Sakramentit, ka për qëllim të ruajë shenjtërinë e vetë Rrëfimit si dhe emrin e mirë të pendestarit. Fshehtësia sakramentore, duhet kujtuar, përbën një element themelor, cilësues e shfuqizues të Sakramentit të Pendesës, sepse zbulon e nxjerr në pah thelbsisht karakterin e tij hyjnor, e kjo është edhe arsyeja kryesore, që tregon pse rrëfimi është e duhet të jetë gjithnjë “dëgjimor” e jo publik.

Pyetje: - Çfarë ndikimesh pozitive pret Pendestaria Apostolike nga ky takim, posaçërisht në fushën baritore, në veprimtarinë e rrëfyesve dhe të meshtarëve, që kujdesen për shpirtrat?
Përgjigje: - Natyrisht, atë që ka lidhje me thellimin e vëmendjes për ruajtjen e sekretit të rrëfimit, qoftë edhe me flijimin e jetës, siç ndodhi me Shën Gjon Nepomuçenin, që pranoi të hidhej në Moldavë e të vdiste i mbytur në ujë, po sekretin e Rrëfimit nuk e tradhtoi. Kisha është aq xheloze për shenjtërinë e vulës sakramentore, sa as vdekja e pendestarit nuk mund ta zgjidhë rrëfyesin nga ky detyrim. Ligji i fshehtësisë sakramentore nuk pranon asnjë përjashtim. Asnjë rrëfyes nuk mund të shkarkohet nga çdo detyrim, edhe nëse e ka treguar përmbajtjen e rrëfimit për të shmangur ndonjë të keqe të madhe.

Pyetje: - Shkelqësi, Sakramenti i Rrëfimit është mundësi për t’i ndihmuar besimtarët ta marrin Krishtit në zemrat e tyre. Mund të na e sqaroni më mirë, edhe në këndvështrimin kanonik, ç’rëndësi ka rrëfyestorja në këtë takim personal e intim me Zotin?

Përgjigje: - Të krishterët e pagëzuar janë të sigurt se Zoti i fal vetëm përmes Sakramentit të Rrëfimit. Në fakt, Kodi i së Drejtës Kanonike në fuqi pohon se “rrëfimi individual dhe i plotë, si dhe zgjidhja e mëkateve, janë e vetmja mënyrë e zakonshme, përmes së cilës besimtari, i vetdijshëm për mëkatin e rëndë, pajtohet me Hyjin e me Kishën” (Kanuni 959-960). Papa Françesku, në audiencën e përgjithshme të 19 shkurtit 2014, e nënvizoi këtë rëndësi të posaçme, këtë veçori të rrëfimit individual: “Nuk mjafton t’i lypësh Zotit falje në mendjen tënde e në zemrën tënde, por është e nevojshme t’ia rrëfesh me përvujtëri e besim mëkatet tua shërbyesit të Kishës”. Kur pendestari hyn në rrëfyestore, e ndjen vërtet veten pranë dashurisë së Zotit, hyn në zemrën mëshirëmadhe të Hyjit, i vetmi që mund t’ia shërojë plagët e shpirtit e t’ia shlyejë mëkatin, që e pengon të mbetet në miqësi me Të.







All the contents on this site are copyrighted ©.