2014-11-13 12:23:57

Françesku: Mbretëria e Zotit rritet në heshtje, pa bujë


Mbretëria e Zotit rritet çdo ditë falë atyre, që e dëshmojnë pa bërë zhurmë, duke u lutur e duke i jetuar me fe impenjimet në familje, në punë e në bashkësinë, së cilës i përkasin. Papa Françesku e përqendroi në këtë mendim, homelinë e meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës.
Në heshtje, vuri në dukje Ati i Shenjtë, ndoshta në një shtëpi ku në fund të muajit mbetet vetëm një euro, e megjithatë, nuk resht lutja, kujdesi për fëmijët, vëmendja për gjyshërit: aty gjendet Mbretëria e Zotit. Larg nga dritat e skenës, sepse Mbretëria e Zotit nuk tërheq vëmendjen, njësoj si nuk tërheq vëmendjen fara, që rritet nën tokë. Në pjesën e sotme të Ungjillit sipas Lukës, pyetjes së farisnjve “Kur do të vijë Mbretëria e Zotit?”, Jezusi i përgjigjet: “do të vijë një ditë, në të cilën do t’ju thonë: ‘Është këtu’, ose ‘Është atje’. Mos shkoni, mos i ndiqni”. Mbretëria e Zotit, theksoi Papa, nuk është spektakël, sepse shfaqja është shpesh karikatura e Mbretërisë së Hyjit:
“Spektakli! Zoti kurrë nuk thotë se Mbretëria e Zotit është spektakël. Është festë! Ndryshe, pra. Sigurisht që është festë shumë e bukur. Festë e madhe! E në Qiell është festë, por jo spektakël. Por, dobësia jonë njerëzore preferon spektaklin”.
Shpesh, vijoi Papa Françesku, edhe kremtimi kishtar mund të kthehet në spektakël. Si për shembull, dasmat, ku nganjëherë, njerëzit vijnë për të treguar sa bukur janë veshur, vijnë për modë, për t’u mburrur, por jo për Sakramentin. Ndërsa Mbretëria e Zotit nuk bën bujë, rritet brenda nesh, në heshtje. Duke cituar Jezusin, Ati i Shenjtë vuri në dukje se edhe për Mbretërinë e Hyjit do të vijë dita të manifestohet me forcë, por kjo do të ndodhë në fundin e kohrave:
“Në ditën, që do të bëjë zhurmë, do ta bëjë si rrufeja, që vrullshëm shkrepëtin nga një skaj i qiellit në tjetrin. Kështu do të bëjë Biri i njeriut në ditën e Tij, në ditën e zhurmshme. Kur mendojmë për qëndresën e sa e sa të krishterëve, që kujdesen për familjen – burra e gra – që ndjekin fëmijët, u rrinë pranë gjyshërve e arrijnë në fund të muajit vetëm me gjysëm euro, por luten: aty është Mbretëria e Zotit, e fshehur në shenjtërinë e jetës së përditshme. Sepse Mbretëria e Zotit nuk është larg prej nesh, është afër! Kjo është njëra nga karakteristikat e saj: afërsia e përditshme”.
Edhe kur përshkruan kthimin e Tij në lavdi e pushtet, Jezusi, vërejti Papa Françesku, shton menjëherë se “më parë, është e nevojshme që ai të vuajë shumë e të përbuzet nga ky brez”. Kjo do të thotë se vuajtja, kryqi, kryqet e përditshme të jetës, janë pjesë e Mbretërisë së Zotit. E në fund, Ati i Shenjtë i kërkon Hyjit hirin për t’u kujdesur për Mbretërinë e Zotit brenda nesh, me anë të lutjes, adhurimit, shërbimit, bamirësisë, gjithnjë pa bujë, gjithnjë, në heshtje:
“Mbretëria e Zotit është e përvuajtur, si fara: e përvuajtur, por e madhe, sepse ka forcën e Shpirtit Shenjt. Ne duhet ta lëmë të rritet brenda nesh, pa u mburrur: ta lejojmë Shpirtin Shenjt të vijë e të na e ndryshojë shpirtin tonë, të na bëjë të ecim përpara në heshtje, në paqe, në qetësi, në afërsi me Zotin, me të tjerët, në adhurim për Zotin, pa bujë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.