2014-11-13 14:26:21

Dushe për të pastrehët në Vatikan. Don Krajewski: t’u rijepet dinjiteti njerëzve


Do të fillojnë të hënën, më 17 nëntor, punimet për realizimin e tre dusheve për të pastrehët, nën kolonatin e Shën Pjetrit në Vatikan. Nisma është marrë nga Lëmoshtari Papnor, imzot Konrad Krajewski dhe është miratuar menjëherë nga Papa Françesku. Ideja e meshtarit polak është realizuar tashmë nga dhjetë famulli romake, njëra prej të cilave është ajo e rrugës Gregori VII, fare afër Vatikanit.
“Ne u rijapim dinjitet këtyre njerëzve, të cilët kështu, mund të lahen – nënvizon don Konradi. Nëse bëni një xhiro në Romë e kërkoni një banjo publike – vë në dukje Lëmoshtari i Papës – do të vini re se ato nuk ekzistojnë. E nëse i gjeni, janë me pagesë, si për shembull, banjot në stacionet hekurudhore. Sigurisht, ekzistojnë dushe në Romë, sepse janë ato të Bashkësisë së Shën Egjidit, të Karitasit e të disa famullive. Por unë doja që këto dushe të ishin në ato famulli, që kanë edhe mensën për të varfërit. Të pastrehët shkojnë aty për të ngrënë e atëherë, nëse 2-3 ose 5 prej tyre kanë mundësinë për t’u larë e pastruar, po të llogarisim 10 famulli, do të thotë se në një ditë, 50 vetë mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi, ndërsa në 10 ditë, bëhen 500”.
“Ky – vazhdon imzot Krajewski – është shërbim normal, që duhet të organizohet nga komuna, jo nga ne. Por, projektet nuk i bëjmë ne e derisa të realizohen, ndoshta kalon një vit, dy ose 10 vjet… Por, Ungjilli na impenjon ‘sot’. Sot duhet t’i ndihmojmë njerëzit, jo nesër. E kjo gjë mund të bëhej menjëherë, thjesht, duke folur me famullitarët, të cilët u vunë dushe banjove. Tani, këto i përkasin famullisë, prandaj askush nuk mund të dërgojë aty një polic, që thotë: “Jo, nuk respektoni normativën e Bashkimit Evropian, prandaj do t’i mbyllim dushet e banjot’. Kjo është mikpritja e famullitarit, e bashkësisë famullitare, sepse banjot i përkasin strukturës së famullisë, nuk janë publike. Kush më vjen në shtëpi, varet prej meje: e kështu, mundëm ta realizojmë këtë menjëherë. Sikur të prisnim vulën e këshilltarëve e të përgjegjësve të ndryshëm, do të kalonin muaj e vite! Kurse kështu, brenda disa javësh gjithçka është gati”.
“Ne – përfundon don Konradi – jemi ndërhyrja e shpejtë e Papës Françesku e fondet tona duhet të shpërndahen në mënyrë ungjillore. Dushet për të pastrehët janë bekim për shumë vetë, edhe për vetë qytetin. Kaq mund të bëjmë ne, n’e tonën”.








All the contents on this site are copyrighted ©.