2014-11-12 13:59:17

Papa: ipeshkvijtë të mos jenë autoritarë, t’i dëgjojnë edhe “të largëtit”.


Ipeshkvijtë të mos mbajnë qëndrime autoritare e t’i dëgjojnë edhe ata, që janë larg Kishës. Këtë thirrje u drejtoi sot barinjve Papa Françesku, gjatë audiencës së përgjithshme, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ku qenë mbledhur mijëra njerëz, pa e përfillur kohën e keqe. Ipeshkvijtë, vijoi të pohojë Papa, nuk duhet të mendojnë se dinë të japin gjithnjë përgjigje të drejtë. I nxiti, pastaj, t’i prijnë Kishës, duke e bërë të rritet në udhën e shenjtërisë.RealAudioMP3
Si duhet të jetë bariu i mirë, që e ka për zemër grigjën e vet? Në audiencën e përgjithshme, Françesku foli përsëri për një temë tejet të dashur, duke e marrë shtytjen nga “Letrat baritore”, që Shën Pali ua pati drejtuar Titit e Timoteut. Apostulli i Popujve, kujtoi, shënon cilësitë që nuk duhet t’i mungojnë ipeshkvit, meshtarit, diakonit: mirëpritjen, thjeshtësinë, durimin, butësinë, besueshmërinë, zemërbardhësinë. Ky është alfabeti, është gramatika bazë e çdo shërbimi! Aq më tepër, duhet të jetë gramatika bazë e çdo ipeshkvi, përndryshe nuk mund të kryhet shërbimi e as të jepen dëshmi të gëzueshme e, sidomos, të besueshme:
Kjo do të thotë se duhet mbajtur gjithnjë e gjallë vetëdija se ipeshkëv, meshtar e diakon nuk bëhesh, sepse je më i zgjuar, më i aftë a më i mirë se të tjerët, por vetëm përmes forcës së dhuratës, dhuratës së dashurisë, falur nga Hyji, në pushtetin e Shpirtit Shenjt, për të mirën e popullit të vet”.
Kjo vetëdije, shtoi, është vërtet e rëndësishme, është hir, që duhet kërkuar ditë për ditë:
“Në të vërtetë, Bariu, që është i vetëdijshëm se shërbesa e tij buron vetëm nga mëshira e nga zemra e Hyjit, nuk mund të sillet kurrë si diktator, si të ishin të gjithë te këmbët e tij e bashkësia të ishte prona e tij, mbretëria e tij personale”.
Vetëdija, vijoi të kujtojë Papa, se gjithçka është dhuratë e hir, e ndihmon bariun ta mposhtë tundimin, që e shtyn të vihet në qendër të vëmendjes e t’i besojë vetëm vetvetes:
“Mjerë ipeshkvi, meshtari a diakoni, që do të besonte se i di të gjitha, se e ka gjithnjë përgjigjen e duhur në majë të gjuhës e se nuk ka nevojë për askënd! Përkundrazi, vetëdija se është ai vetë i pari objekt i mëshirës e i dhembshurisë së Zotit, duhet ta nxisë shërbyesin e Kishës të jetë gjithë i përvuajtur e plot mirëkuptim ndaj të tjerëve”.
E, gjithnjë me vetëdijen se është i thirrur ta ruajë me guxim trashëgiminë e fesë, vijoi Ati i Shenjtë, ai do të dijë t’ua vërë mirë veshin njerëzve, pikërisht sepse…:
“Është i ndërgjegjshëm se ka gjithnjë diçka për të mësuar, edhe nga ata, që mund të jenë ende larg nga feja e nga Kisha. Me sivëllezërit e tij, pastaj, gjithë kjo duhet ta nxisë të ketë një sjellje të re, me frymën e ndarjes së përbashkët, të përgjegjësisë së përbashkët e të bashkimit”. Françesku i nxiti, kështu, ipeshkvijtë, t’i prijnë Kishës, duke e bërë të rritet gjatë udhës së shenjtërisë.

Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, pavarësisht nga cikërrimat e vazhdueshme të shiut vjeshtarak, Papa kujtoi posaçërisht të sëmurët, më se dyqind, që po e ndiqnin audiencën nga Salla e Palit VI, të cilët i kishte takuar para se të arrinte në Sheshin e Shën Pjetrit.
Nga Papa, edhe një mendim plot dashuri e shqetësim për familjet e viktimave të aksidenteve rrugore e të njerëzve të zhdukur.
Françesku falënderoi edhe motrat skalabriniane për angazhimin e tyre në favor të emigrantëve e të refugjatëve.
Së fundi, përshëndetja drejtuar karmelitaneve misionare të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë dhe studentëve e pedagogëve të fakultetit të Shkencave të Komunikimit Shoqëror të Universitetit Papnor Salezian, me rastin e 25-vjetorit të themelimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.