2014-11-12 18:25:58

Papa Françesku takon forumin katoliko - mysliman, i pranishëm Myftiu Tërnava


Para audiencës së përgjithshme, Papa Françesku takoi pjesëmarrësit e Forumit III Katoliko-Mysliman, që zhvillon punimet këto ditë në Vatikan mbi temën:“Të punojmë së bashku për t’u shërbyer të tjerëve”. Delegacioni katolik udhëhiqej nga presidenti i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, kardinali Jean-Louis Tauran, delegacioni mysliman nga princi i Jordanisë Ghazi bin Muhammad.. I pranishëm edhe kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, pjesëmarrës në punime të Forumit III Katoliko-Mysliman, si përfaqësues i bashkësive islame të Evropës.
Gjatë përshëndetjes së besimtarëve në gjuhën arabe, në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa Bergoglio kujtoi se “thirrja e Zotit është përherë fryt i bujarisë, dhembshurisë e mëshirës së Tij. Lutuni pra – bëri thirrje Papa – për Barinjtë tuaj që ta jetojnë misionin e tyre me shpirtin e përvujtërisë, të shërbimit e të dëgjimit. Zoti ju bekoftë e ju mbrojt gjithmonë prej të keqit”. Me ftesën për të “vijuar udhën e dialogut”, Papa Françesku vlerësoi punimet e forumit katoliko-mysliman dhe përshëndeti një nga një të gjithë pjesëmarrësit.
Gjatë takimit me Atin e Shenjtë Bergoglio, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava falënderoi Papën për kontributin dhe kujdesin e Selisë së Shenjtë për Kosovën dhe bëri ftesë ta vizitojë Vendit në një të ardhme jo të largët. Myftiu Tërnava falënderoi Papa Françeskun për vizitën që bëri në shtatorin e kaluar në Tiranë dhe për fjalët e tij atërore që u drejtoi shqiptarëve duke vlerësuar thesaret, vlerat shpirtërore e kombëtare me një nënvizim të veçantë të harmonisë ndërfetare të shqiptarëve. Gjithnjë gjatë takimit me Atin e Shenjtë, Myftiu Tërnava i dhuroi Papës monografinë e xhamive të shkatërruara gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në mikrofonin e Radio Vatikanit Myftiu kosovar Naim Tërnava rrëfen takimin që pat me Papa Françeskun...RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.