2014-11-12 14:43:51

Mesazh i ipeshkvijve evropianë për 100-vjetorin e Luftës I Botërore


“Shtegtimi ynë në Verdun na bën, si ipeshkvij, më të vendosur në impenjimin tonë për të ndihmuar Evropën të gjejë rrënjët e identitetit të vet, të çmojë sërish vlerat – shumë prej të cilave thellësisht të krishtera – që janë në bazën e saj si bashkësi dhe të promovojë një të ardhme, ku të mbretërojnë paqja e drejtësia për të gjithë qytetarët evropianë e për botën. I frymëzuar nga gëzimi i Ungjillit, takimi ynë përfundoi me shpresën e së ardhmes në paqe për mbarë njerëzimin”. Me këto fjalë mbyllet mesazhi i lexuar dje nga kryetari i Konferencës së Episkopateve të Bashkimit Evropian (COMECE), kardinali Reinhard Marx, në përfundim të shtegtimit të ipeshkvijve evropianë në Dauaumont dhe në Verdun të Francës, në kuadrin e nismave për kremtimin e 100-vjetorit të Luftës I Botërore.
“Jemi të vetëdijshëm - lexohet në dokumentin e botuar nga gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano” – se vijmë nga vende, disa prej të cilëve, para një shekulli, por edhe kohët e fundit, kanë pasur shpesh luftra me njëri-tjetrin. Kujtojmë përvuajtërisht se edhe njerëz të Kishës janë hedhur në flakët e konfliktit dhe e kanë lënë veten në dorën e pasionit nacionalist: është kujtim i ngjyer me pendesë e turp. Por kujtojmë edhe mënyrën stoike, të qëndrueshme, me të cilën Papa Benedikti XV është shprehur në favor të ndalimit të konflikteve të armatosura, duke promovuar paqen”.
Kardinali Marx përmend me mirënjohje realizimin e projektit të Evropës së Bashkuar nga etërit e saj themelues, pa harruar ata, që gjatë viteve të mëpasme, kontribuan në arritjen e paqes e të mirëkuptimit ndërmjet kombeve, të cilat edhe sot e kësaj dite, nuk heqin dorë nga rruga e konfliktit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Shtegtimi i ipeshkvijve në Verdun – që në vitin 1916, qe teatër i njërës prej betejave më të gjata e më të përgjakshme të historisë – nisi në mauzoleumin e Douaumont, ku prelatët evropianë u lutën në 5 gjuhë të ndryshme, fillimisht ndër varret e ushtarëve të rënë në luftë e pastaj, në varrezën ushtarake e në kapelën e mauzoleumit, ku prehen 130 mijë ushtarë të panjohur.
Më pas, ata shkuan në katedralen e Verdun-it për lutjen e mbrëmjes. Në mesazhin përfundimtar, pas shtegtimit, shkruhet: “Kujtojmë ata që kanë vdekur e ata, që akoma vuajnë për humbjen e jetëve të panumërta njerëzore gjatë këtij konflikti: gati një milion ushtarë u vranë në betejën e Verdun-it. Edhe një herë, na bën përshtypje marrëzia e pashoqe e luftës dhe shkatërrimet, që sjell ajo. Nëse në agim të shekullit XX, fatet e kombeve të Evropës do të ishin ndërthurur më mirë, Lufta I Botërore nuk do të kishte ndodhur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.