Imzot Tomazi në OKB: të zhduken mbeturinat luftarake
“Luftërat dhe ndeshjet e armatosura janë gjithnjë dështim i politikës dhe i njerëzimit”.
Kështu u shpreh kryeipeshkvi Silvano Tomazi, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë
pranë Zyrës së OKB-së në Gjenevë, duke folur në Konferencën e shteteve nënshkruese
të Konventës, që ndalon ose kufizon përdorimin e armëve të zakonshme, tepër të dëmshme,
me pasoja të rënda për të gjithë, pa asnjë dallim. “E drejta humanitare, pohoi
imzot Tomazi, duhet të ketë një përmasë njerëzore themelore, për ta bërë të mundur
bashkëjetesën kombëtare e ndërkombëtare. E kur bashkësia ndërkombëtare nuk arrin ta
mbrojë paqen, nuk do të duhej të pranonte edhe një dështim të dytë, nënvizoi përfaqësuesi
i Selisë së Shenjtë, duke kujtuar Protokollin V të Konventës, që ka të bëjë me likuidimin
e mbetjeve të lëndëve shpërthyese luftarake, adoptuar në vitin 2003 - një përpjekje
modeste – nënvizoi prelati, për të shmangur rrezikun që njerëz të pafajshëm të katandisen
në viktima të konfliktit, tashmë të përfunduar”. Pjesëmarrja nuk është vetëm detyrim
ligjor, shtoi, por, në radhë të parë, është detyrë morale ndaj njerëve e edhe detyrë
politike, për të siguruar paqen në botë. Konfliktet e shumta të kohëve të fundit në
Lindjen e Mesme, në Veriun e Afrikës, në Evropë, na kujtojnë përgjegjësinë tonë lidhur
me mbetjet e lëndëve shpërthyese luftarake të braktisura. Prej këndej, duhet respektuar
detyrimisht neni i 4-t i Protokollit, që përcakton detyrën e dhënies së informacioneve,
duke përfshirë edhe njoftimet për popullsinë civile, mbi tipin e municioneve, që ruhen
ose që janë braktisur si dhe mbi zonat e interesuara. Pa e respektuar këtë nen, do
të ishte e pamundur të viheshin në jetë nenet e tjera të Protokollit. E nëse është
e vërtetë se përgjegjësia i takon shtetit të interesuar, është e vërtetë edhe domosdoshmëria
e bashkëpunimit ndërkombëtar. Shumica e konflikteve të sotme kanë të bëjnë me subjekte
kombëtare, zonale e ndërkombëtare, shtetërore e jo shtetërore, e shumica e vendeve
në konflikt janë në rrugë zhvillimi, prandaj jo gjithnjë i kanë mjetet e nevojshme
për t’i kapërcyer pasojat e konflikteve të armatosura, kujtoi vëzhguesi i Selisë
së Shenjtë.