2014-11-12 18:45:12

Homelia e Papës gjatë lutjes mbrëmësore në Katedralen e Tiranës më 21 shtator


Homelia e Papa Françeskut gjatë Lutjes Mbrëmësore në Katedralen e Shën Palit Apostull në Tiranë, kremtuar së bashku me klerin shqiptar, më 21 shtator 2014
Përgatita disa fjalë për ju, për t’jua thënë e do t’ia dorëzoj kryeipeshkvit, që t’jua japë. Përkthimi është gati. Mund ta merrni shumë shpejt.
Po tani më erdhi në mendje një gjë tjetër, që dua t’jua them. Dëgjuam në Lexim fjalët: “Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, Atë i Mëshirshëm dhe Hyj i të gjitha ngushëllimeve, i cili na ngushëllon në vështirësitë tona, që edhe ne të mund t’i ngushëllojmë ata, që gjenden në vështirësi, me atë ngushëllim, me të cilin Hyji na ngushëllon ne” (2 Kor 1,3-4). Është teksti me të cilin Kisha na bën të reflektojmë sonte, në lutjet e mbrëmjes.
Këta dy muaj u përgatita për këtë vizitë, duke lexuar historinë e persekutimit në Shqipëri. E u ndodha para një të papriture: nuk e dija se populli juaj kishte vuajtur kaq shumë! Pastaj sot, në rrugën e aeroportit e deri në shesh, pashë gjithë këto fotografi martirësh: duket qartë se ky popull i kujton ende martirët e vet, ata që vuajtën aq shumë. Popull martirësh... E sot, në fillim të këtij kremtimi, preka me dorë dy prej tyre. Mund t’ju them vetëm atë, që ata e thanë me jetën e tyre, me fjalët e tyre të thjeshta... I treguan gjërat me thjeshtësi të madhe... fjalë tejet të dhimbshme! E pastaj ne mund t’i pyesim sot. “Po si ia dolët mbanë të mbeteni gjallë pas gjithë atij mundimi?”. E do të na thonë atë, që dëgjuam në këtë fragment të Letrës së dytë drejtuar Korintianëve: “Hyji është ati ynë i mëshirshëm, Zot i çdo ngushëllimi. Ishte ai, që na ngushëlloi!”. E thanë këtë me thjeshtësi. Vuajtën tepër. Vuajtën fizikisht, psikologjikisht, provuan angushtinë e pasigurisë: do të pushkatoheshin, apo jo! E jetonin kështu, me këtë ankth. E Zoti i ngushëllonte... Mendoj për Pjetrin në burg, me zinxhirë; mbarë Kisha lutej për të. E Zoti e ngushëlloi Pjetrin. Edhe martirët, e edhe këta, që dëgjuam sot, Zoti i ngushëlloi, sepse ishin shumë njerëz në Kishë, ishte populli i Hyjit, ishin plakat e mira e të shenjta, shumë murgesha klauzure... që luteshin për ta... E ky është misteri i Kishës: kur Kisha i lyp Zotit ta ngushëllojë popullin e vet; e Zoti e ngushëllon përvujtërisht, e edhe fshehtësisht. E ngushëllon në fshehtësinë e zemrës, e ngushëllon duke i dhënë forcë. Ata, jam i sigurt, nuk krenohen me atë që jetuan, ngaqë e dinë mirëfilli se ishte Zoti ai, që i ndihmoi të shkojnë përpara. Po ata na thonë diçka. Na thonë se për ne, të thirrur nga Zoti për ta ndjekur nga afër, i vetmi ngushëllim është ai, që vjen prej Tij. Mjerë ne, nëse kërkojmë tjetër ngushëllim! Mjerë priftërinjtë, meshtarët, rregulltarët, murgeshat, rishtarët, njerëzit e kushtuar, kur e kërkojnë ngushëllimin larg Zotit! Unë nuk dua ‘të përdor dajakun”, sot, nuk dua të bëhem “xhelat” këtu, por ta dini mirë: në se ju kërkoni ngushëllim gjetiu, nuk do të jeni kurrë të lumtur! E për më tepër: ti nuk do të mund të ngushëllosh askënd, sepse nuk e hape zemrën për ngushëllimin e Zotit! E do të përfundosh ashtu, siç thotë Elia i madh i popullit të Izraelit: duke çaluar nga të dyja këmbët.
“Qoftë bekuar Hyji Atë, Hyj i të gjitha ngushëllimeve, i cili na ngushëllon në të tëra vështirësitë tona, që edhe ne të mund t’i ngushëllojmë të gjithë ata, që gjenden në çdo lloj vështirësie, me atë ngushëllim, me të cilin u ngushëlluam nga Hyji”. Këtë bënë këta të dy, sot. Përvujtërisht. Pa pretendime, pa u mburrur, duke na bërë një shërbim: duke na ngushëlluar. Na thanë edhe “Jemi mëkatarë, po Zoti ishte me ne!”. Kjo është udha. Mos e humbisni kurrë shpresën”.
Më falni, që po ju përdor sot si shembull, por të gjithë duhet të jemi shembull për njëri-tjetrin. Të shkojmë në shtëpi duke menduar mirë: sot kemi prekur me dorë martirët!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.