Përkujtojmë jezuitin shqiptar Atë Gjon Karmen, në përvjetorin e vdekjes. Jezuiti shqiptar,
lindi më 17 maj 1896 në fshatin Guri i Zi, pikërisht në atë fshat ku, mbi rrënojat
e kishës së shkatërruar nga komunistët, jezuitët kanë rindërtuar një nga Kishat e
tyre të reja. U përgatit në gjirin e etërve jezuitë, duke ndjekur ndër ta të gjitha
ciklet shkollore, derisa u shugurua meshtar, më 29 maj 1920. Në Urdhrin e Jezuitëve
u pranua në Goricia të Italisë, ku kishte shkuar të thellonte studimet teologjike.
Më pas u kthye në atdhé, për të shërbyer në Tiranë (1932) e në Shkodër, si zëvendës-drejtor
i Kolegjës Saveriane (deri më 1935). Por kontributin më të çmuar e dha gjatë shtegtimeve
me Misionin Shëtitës të etërve jezuitë ndër malësitë e Veriut, ku predikoi, rrëfeu,
shoi mëritë, pajtoi gjaqet, shkroi relacione me vlera të mëdha njohëse për historinë
e këtyre trevave, të cilat studiuesi mund t'i gjejë nën titullin "Lettere Edificanti",
vjetar i jezuitëve, që ende mbetet për t'u studiuar. Në këtë vjetar gjinden shkrime
të panjohura të Atë Gjon Karmës, që hedhin dritë mbi veprimtarinë e tij si misionar
i paqes e i dashurisë ndër malet e egra shqiptare. Atë Karma njihet edhe për mbledhjen
e thesareve të kulturës popullore: dokeve, zakoneve, gjuhës, këngëve popullore, topnomastikës,
aforizmave, të cilat nisi t'i botonte në revistat e jezuitëve "Lajmëtari i Zemrës
së Krishtit" dhe "LEKA" e më vonë i përmblodhi në veprën "Ndër malet tona", botuar
më 1940. Si të gjithë klerikët shqiptarë, vuajti për një kohë të gjatë ndër burgjet
komuniste e ndër kampet e vdekjes. Iu desh të jetojë me duar të prangosura që nga
viti 1946 e deri në vdekje. Duhet të ketë vdekur më 11 nëntor 1975, gjë që nuk dihet
me siguri. Ndërsa është e sigurtë se vdiq si dëshmitar i fesë së Krishtit, duke kryer
deri në frymën e fundit misionin e tij kishtar e kombëtar.