2014-11-11 14:57:46

Papa ipeshkvijve italianë: nuk duhen priftërinjtë klerikalë as funksionarë por në përngjasim me Bariun e Mirë


Prifti, formimi e misioni tij. Rreth këtyre argumenteve flet Papa Françesku në mesazhin drejtuar Asamblesë së 67-të të përgjithshme të Konferencës ipeshkëvnore italiane, që u hap në Assisi e do të vijojë deri më 13 nëntor. “Nuk vyejnë priftërinj klerikalë, sjella e të cilëve rrezikon t’i largojë njerëzit prej Zotit, as priftërinj që, ndërsa zhvillojnë një rol, larg Tij kërkojnë ngushëllimin personal”. Kështu pohon në mesazhin e tij Papa Françesku e citon shkrimtarin e madh rus Lev Tolstoj për t’i lëvduar shumë priftërinj që vërtetë janë të angazhuar “në gjirin e njerëzve”. Papa nënvizon se “vetëm kush i përmbahet udhës dhe shembullit së Bariut të Mirë, Jezu Krishtit, gjen unitetin, paqen dhe forcën e bindjes së shërbimit.
“Ndër përgjegjësitë kryesore që misioni ipeshkëvnor ju beson - u shkruan Papa ipeshkvijve italianë - është edhe ai i përforcimit, mbështetjes e konsolidimit të priftërinjve, bashkëpunëtorëve tuaj të parë, përmes të cilëve amësia e Kishës arrin te mbarë populli i Zotit”. Jorge Mario Bergoglio thotë: “Sa priftërinj kemi njohur! Sa prej tyre me dëshminë e jetës kanë kontribuar, kanë tërhequr njerëz për një jetë të shuguruar! Sa prej tyre kemi mësuar e jemi formuar! Në kujtesën e zemrës plot mirënjohje, çdonjëri prej nesh ruan emra e fytyra të meshtarve të mirë. Kemi parë priftërinjtë duke shpenzuar jetën e tyre në mesin e njerëzve nëpër famullitë kishtare, në edukimin e të rinjve, në shoqërimin e familjeve, duke vizituar të sëmurët nëpër shtëpi e në spitale, duke ndihmuar të varfrit, të vetëdijshëm që – është citimi i Tolstojt – ‘të shkëputesh për të mos u përlyer me të tjerët, është ndyrësia më e madhe”.
Prandaj “të lirë prej sendeve e prej vetvetes, për t'ua kujtuar të gjithëve se të përulesh pa mbajtur asgjë për vete, është udha për të arritur atë lartësi, të cilën Ungjilli e quan dashuri; e mos të harrojmë se gëzimi i vërtetë shijohet në vëllazërinë e jetuar”, vijon Papa Françesku në mesazhin drejtuar Konferencës ipeshkëvnore italiane. Jeta e meshtarëve të mirë flet gjuhën e durimit e të qëndresës; nuk mbetën turistë të shpirtit, përjetësisht të pavendosur e të pakënaqur, sepse e dinë se janë në duart e Njërit që i mban gjithmonë premtimet e Provania e të cilit bënë në mënyrë që asgjë të mos na ndajë kurrë nga një përkatësi e tillë. Kjo vetëdije rritet me dashamirësinë e butësinë baritore, me të cilat përkujdesën për njerëzit që u janë besuar, aq sa ata i njohin të gjithë një nga një”.
Sipas Papës Bergoglio “po, akoma sot është koha e priftërinjve me karakter të fort, e priftërinjve që janë të ‘gatshëm’ ta vënë jetën e tyre në shërbim të njerëzve, të gatshëm për takimin ndërmjet Hyjit e botës, roje të afta që nuhasin e shpëtojnë pasuritë e humbura”. E për Atin e Shenjtë Bergoglio “meshtarë të këtillë nuk improvizohen: po farkëtohen nga puna e çmuar formuese e Seminareve dhe Shugurimi që i përkushton përgjithmonë njerëz të Hyjit e shërbëtorë të popullit të vet. Identiteti i meshtarit, pikërisht pse vjen prej së larti, kërkon prej tij një rrugëtim të përditshëm në udhën e përvujtërisë profetike, në udhën e dëshmimit të Ungjillit, duke u nisur nga ajo që e ka bërë priftin mbarështues të Jezu Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.