2014-11-11 14:27:26

Papa Françesku: të krishterët të mos e shndërrojnë shërbimin në pushtet


Tundimet, që na largojnë nga shërbimi për të afërmin, duhen mbajtur larg. Është këshilla e Papës Françesku në meshën e sotme të mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë nënvizoi se, ashtu si Jezusi, duhet të shërbejmë pa kërkuar asgjë e nuk duhet ta shndërrojmë shërbimin në strukturë pushteti.
Jezusi flet për forcën e fesë, por menjëherë shpjegon se kjo duhet kuptuar në kuadrin e shërbimit. Papa mori shkas nga Ungjilli i sotëm, ku flitet për “shërbëtorin e padobishëm”, për t’u ndalur në kuptimin e shërbimit për të krishterin. Jezusi, kujtoi ai, përmend këtë shërbëtor, që pasi punoi gjithë ditën, sapo mbërrin në shtëpi, në vend që të pushojë, akoma duhet t’i shërbejë të zotit:
“Ndokush prej nesh do t’i këshillonte këtij shërbëtori të shkonte në sindikatë e të kërkonte këshillë për mënyrën si duhej të sillej me këtë zotëri. Por Jezusi thotë: ‘Jo, shërbimi është i tërësishëm’, sepse Ai vetë ka ecur përpara me këtë lloj shërbimi; Ai vetë është shërbëtor. Ai paraqitet si shërbëtor, si dikush, që ka ardhur për të shërbyer e jo për t’u shërbyer: kështu thotë, krejt qartë. E kështu, Zoti u tregon apostujve udhën e atyre, që e kanë marrë fenë dhuratë, atë fe, që bën mrekulli. Po, kjo fe bën mrekulli përmes udhës së shërbimit”.
I krishteri, që merr dhuratën e fesë në Pagëzim, shtoi Ati i Shenjtë, por nuk e merr me vete këtë dhuratë në udhën e shërbimit, nuk ka forcë, nuk sjell më fryte. Kthehet në njeri, që sheh e i shërben vetëm vetvetes. Jeta e tij është e trishtuar, sepse dhuratat e mëdha, që i ka dhënë Zoti, shkojnë kot. Zoti, vijoi Papa, na thotë qartë se shërbimi është “një i vetëm” e nuk mund t’i shërbejmë dy zotërinjve: “O Hyjit, o pasurisë”. Nganjëherë, vërejti Ati i Shenjtë, largohemi nga shërbimi për dembelì, e cila na bën të kërkojmë rehatin:
“Përtacia na largon nga shërbimi e na çon drejt rehatisë, egoizmit. Sa të krishterë ka kështu… janë të mirë, shkojnë në meshë, por shërbimi përfundon këtu… Por, kur them shërbim, them gjithçka: shërbim Zotit në adhurim, në lutje, në lavde; shërbim të afërmit, kur duhet ta bëj; shërbim deri në fund, sepse Jezusi është i fortë pikërisht në këtë: ‘Kështu edhe ju, kur të keni bërë gjithçka ju është urdhëruar, mund të thoni ‘jemi shërbëtorë të padobishëm’’. Shërbim falas, pa kërkuar asgjë”.
Mundësia tjetër për t’u larguar nga shërbimi, vuri në dukje Papa Françesku, është ta shfrytëzosh atë. Diçka e tillë u ndodhi edhe dishepujve e apostujve. I largonin njerëzit, jo që të mos e shqetësonin Jezusin, por që të ishin rehat ata vetë. Dishepujt, vijoi Ati i Shenjtë, ktheheshin në zotër të kohës së Hyjit, të pushtetit të Tij, e donin Zotin vetëm për grupin e tyre. Kështu, duke u kthyer në zotër të shërbimit, e shndërronin atë në strukturë pushteti. Kjo kuptohet, kur lexojmë diskutimin se kush ishte më i madh ndërmjet Jakobit e Gjonit. E pastaj, edhe nëna, e cila shkon t’i kërkojë Jezusit që njëri nga bijtë e saj të ishte kryeministër e tjetri, ministër i ekonomisë, pra, të merrnin në dorë pushtetin. Kjo ndodh edhe sot, kur të krishterët sillen si zotër të fesë, zotër të Mbretërisë së Hyjit, zotër të Shëlbimit. Ky është tundim për të gjithë, nuk kurseu asnjë Papa. Ndërsa Zoti na flet për shërbim me përvuajtëri e shpresë e këtu qëndron gëzimi i shërbimit të krishterë:
“Në jetë duhet të luftojmë shumë kundër tundimeve, që përpiqen të na largojnë nga shërbimi. Përtacia na çon drejt rehatisë: shërbim përgjysëm pra. E, shfrytëzimi i situatës na kthen nga shërbëtorë në zotërinj mendjemëdhenj, kryelartë, që keqtrajtojnë njerëzit, na bën të ndjehemi të rëndësishëm thjesht ‘sepse jemi të krishterë, kemi në dorë shëlbimin’, e gjëra të tjera si këto. Zoti na dhashtë këto dy hire të mëdha: përvuajtërinë e shërbimit, që të mund të themi: ‘Jemi shërbëtorë të padobishëm - ama shërbëtorë – deri në fund’; si edhe shpresën në pritje të dukjes së Hyjit, kur Zoti do të vijë të na vizitojë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.