2014-11-11 15:05:35

Papa formon një Kolegj për shqyrtimin e krimeve të rënda të klerit


Të përshpejtojë shqyrtimin e apelimeve për dënimet e anëtarëve të klerit, që kanë kryer krime kundër fesë, sakramenteve dhe moralit. Ky është objektivi i Papës Françesku, që me një “Rescriptum” të datës së sotme, themeloi një Kolegj prej 7 kardinajsh dhe ipeshkvijsh, pjesë e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, me detyrë për të shqyrtuar më shpejt çështjet e për të thjeshtuar procedurën. Rescriptum, apo “rishkrimi”, është përgjigjja e Atit të Shenjtë ndaj çështjes së paraqitur gojarisht nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili u takua me Papën për këtë problem më 3 nëntor. Është fjala për të ashtuquajturat “delicta graviora”, pra, faje të rënda, ku hyn edhe abuzimi me të miturit. Me fjalë të tjera, ligjit në fuqi për këto raste, që i referohet Motu Proprio-s së Papës Gjon Pali II me titull “Sacramentorum Sanctitatis Tutela” të vitit 2001, azhornuar më 21 maj 2010, i shtohet tani edhe kjo pjesë për formimin e Kolegjit. Kryetari dhe anëtarët e Kolegjit emërohen drejtpërdrejt nga Ati i Shenjtë.
Këtij organizmi të veçantë do t’i besohen disa nga çështjet, që shqyrtohen normalisht në Seksionin e Zakonshëm të Kongregatës, por nëse apelimi paraqitet nga një ipeshkëv, atëherë çështja nuk mund t’i kalojë Kolegjit. Seksioni i Zakonshëm mund të shqyrtojë edhe çështje, të cilat i ngarkohen drejtpërdrejt nga Papa. Gjithashtu, ai informohet rregullisht për vendimet e Kolegjit të veçantë, për marrëdhëniet me të cilin do të ketë edhe një Rregullore të Brendshme. Siç nënvizoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federico Lombardi, kjo konsiderohet një zgjidhje e mirë për të shmangur grumbullimin e tepruar të apelimeve.








All the contents on this site are copyrighted ©.