2014-11-11 11:38:40

Pakistan: të krishterët kërkojnë të hiqet ligji mbi blasfeminë


T’i dorëzohen drejtësisë ata, që kanë vrarë dy bashkëshortët e krishterë në Kasur më 4 nëntor; të merren menjëherë masa dhe të shfuqizohet ligji për blasfeminë: këto janë kërkesat e qindra të krishterëve, të cilët manifestuan dje në Kasur, zonë e tragjedisë së çiftit Shahzad Masih dhe Shama Bibi, që u dogjën të gjallë, sepse akuzoheshin për blasfemi. “Qeveria e ka për detyrë të mbrojë të drejtën e jetës e të pronësisë së qytetarëve të saj”, shpjegoi për agjencinë Fides, avokati Sardar Mushtaq Gill, i cili ishte i pranishëm në manifestim.
Në protestë, njofton agjencia katolike e lajmeve, morën pjesë besimtarë nga të gjitha konfesionet e krishtera, sidomos katolikë e protestantë. Ata mbanin parrulla e pankarta kundër persekutimit të të krishterëve në Pakistan dhe kërkuan fundin e padrejtësive e të abuzimeve, që lidhen me ligjet për blasfeminë.
“Policia nuk arriti t’i shpëtojë dy bashkëshortët: shpesh agjentët pohojnë se nuk mund ta shpëtojnë një të akuzuar për blasfemi, nëse është i krishterë”, shpjegon Gill. “Të krishterët nuk do të jenë kurrë të sigurtë, derisa të jetë në fuqi ky ligj. Ai përfaqëson dhunim të rëndë të të drejtave të njeriut e duhet të shfuqizohet menjëherë” vijon avokati. “I kërkojmë bashkësisë ndërkombëtare të ketë një rol më konstruktiv e më të frytshëm për këtë”.
Të krishterët vunë në dukje edhe çështjen e “skllavërisë moderne” në Pakistan. Shpesh, besimtarët që punojnë si punëtorë në furrat e mëdha për prodhimin e tullave prej argjile, trajtohen si skllevër. Vërtet, ashtu siç ndodhi edhe për dy bashkëshortët, Shahzad dhe Shama, ata hyjnë në borxh me punëdhënësit e pastaj detyrohen të punojnë për vite me radhë pa pagesë. Ndodh që borxhe të tilla, të cilat rriten edhe për shkak të interesave, nuk lahen nga prindërit, sepse nuk mjafton një jetë e tërë me punë. Atëherë u duhet fëmijëve të punojnë falas, për të shlyer borxhin e kështu, skllavëria kalon nga brezi në brez. Organizatat e krishtera kërkojnë t’i jepet fund kësaj praktike të paligjshme e çnjerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.