2014-11-11 11:21:29

Nigeri, atentat i Boko Haram. Ipeshkvi: duan t’i mbyllin shkollat


Me kalimin e kohës, rëndohet edhe më shumë bilanci i atentatit të sotëm kundër një shkolle, në veri të Nigerisë: të paktën 48, viktimat, shumica studentë; rreth 80, të plagosurit.
Autorët nuk njihen ende, por dyshimet rëndojnë mbi ekstremistët islamikë të Boko Haram. Një skenë tronditëse, sipas rrëfimit të të mbijetuarve dhe të njerëzve, që vrapuan për t’i ndihmuar. Një kamikaze, veshur si student, u hodh në erë, duke shpërthyer lëndën, që mbante në çantë, në brendi të një shkolle të lartë në Potiskum, kryeqytet ekonomik i Shtetit veri-lindor të Jobes. Atentati u krye vetëm pak para se të fillonin leksionet, kur rreth 2 mijë të rinj ishin grumbulluar, në pritje të përshëndetjes së përditshme të drejtorit. Shpërthim, britma, gjak, panik, dëshpërim: kjo ishte pamja pas atentatit, kur prindërit, që ngarendën në vendin e ngjarjes, nisën t’i gjuanin me gurë policët, edhe ata të pranishëm, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për këto ngjarje tragjike, të përsëritura tepër shpesh.
Në të njëjtin qytet, javën e kaluar një tjetër atentator iu sul një vargani me shiitë, duke shkaktuar vdekjen e 30 vetëve. Në Jobe, shumë herë teatër dhune, është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme, me vendim të qeverisë së Abuzhës, për t’i bërë ballë dhunës së Boko Haram. Por pse ekstremistët sulmuan pikërisht shkollën, ashtu siç ka ndodhur shpesh edhe në të kaluarën? Përgjigjet imzot Oliver Dashe Doeme, ipeshkëv i dioqezës së Maidugurit, me shtrirjen më të madhe në vend, që përfshin edhe Potiskum-in:

Përgjigje: - Boko Haram is against Western education…
Boko Haram është në kundërshtim me shkollimin e tipit perëndimor. Prandaj fanatikët sillen andej e këndej duke sulmuar shkollat, me synim që të mbyllen e të rinjtë të mbeten pa mësim. Ky është qëllimi i tyre. Duan zbatimin e sharisë, vënien e saj në jetë, pa kurrfarë ndryshimi.

Që nga viti 2009 Boko Haram dëshiron të krijojë një kalifat islamik në të gjithë veriun e Nigerisë, përmes sulmeve, që gjatë pesë vjetëve, shkaktuan vdekjen e më se 10 mijë vetëve. Vetëm dje fondamentalistët shpërndanë një video, në të cilën kreu i Boko Haram-it, Abubakar Shekau bën thirrje për “kalifatin” botëror, duke u lëshuar kushtrimin edhe vëllezërve të Afganistanit, Pakistanit, Azerbajxhanit, Çeçenisë, Jemenit, Somalisë, Irakut e Sirisë. Në prillin e kaluar grupi sekuestroi 200 vajza, nxënëse të shkollës së Chibok-ut, në Shtetin e Borno-s. Disa u liruan, të tjerat, sipas liderit kryengritës Shekau, u detyruan të martohen me rrëmbyesit, duke u kthyer forcërisht në fenë islame. Por, si jetohet në Nigerinë veriore? Përsëri imzot Oliver Dashe Doeme:

Përgjigje: - Many people are rolling from one place to another...
Njerëzit enden nga një vend në tjetrin, sepse Boko Haram i detyron të kthehen në Islam: në rast të kundërt, i vrasin. Prandaj njerëzit i braktisin shtëpitë e tyre e vendet ku është vendosur Boko Haram e zhvendosen. Kisha nigeriane po u siguron sendet më të domosdoshme për jetesë refugjatëve të Jolës, Maidugurit, Mubit. E nuk ndihmon vetëm të krishterët, por edhe myslimanët.
Të enjten e ardhshme e deri në agimin e së premtes, pranë qendrës ekumenike kombëtare të Abuzhës do të mbahet një mbrëmësore, organizuar nga ipeshkvijtë nigerianë, për t’u lutur që të kthehet paqja në vend!







All the contents on this site are copyrighted ©.