2014-11-10 12:51:51

Françesku: kurrë shkandull, gjithnjë falje e fe


“Çdo i krishterë, pavarësisht nga thirrja e tij, duhet të dijë të falë gjithnjë e të mos japë kurrë shkandull, sepse shkandulli e shkatërron fenë”. Papa e përsëriti këtë, duke komentuar leximet e Meshës së mëngjesit, kryesuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës.
Më mirë të hidhesh në det me një gur të madh në qafë! Zgjedh këtë figurë të vrazhdë Jezusi, në vend të ndonjë shprehjeje pakëz më të ëmbël, kur u thotë dishepujve të vet çka mendon për ata, që shkandullojnë të tjerët, posaçërisht kur janë të pambrojtur. Papa Françesku e shtjelloi homelinë rreth fragmentit ungjillor të ditës, shkëputur nga Ungjilli i Shën Lukës. Tri, fjalët kyçe të homelisë: shkandull, falje, fe! “Mjerë ai,që shkandullon”, pohon prerazi Krishti, ndërsa në fragmentin e Letrës së tij drejtuar Titit, Shën Pali jep këshilla të sakta për stilin e jetës së meshtarit, që nuk duhet të jetë i dhunshëm, por i përkorë, me një fjalë, i patëmetë, larg çdo shkandulli. Por kjo, vijoi Papa, vlen për mbarë të krishterët. Shkandull, shtoi, do të thotë të shpallësh një stil jete - të pohosh: unë jam i krishterë - e pastaj të jetosh si pagan, që nuk beson në asgjë. Kjo jep shkandull, sepse mungon dëshmia, ndërsa feja, pohoi Françesku, dëshmohet me jetën e jetuar:
Kur i krishteri a e krishtera, që shkon në Kishë, që shkon në famulli, nuk jeton kështu, shkandullon. Po sa e sa herë kemi dëgjuar, burra e gra, që thonë: ‘Unë nuk shkoj në Kishë, sepse është më mirë të jesh i ndershëm në shtëpi tënde, sesa si ai apo ajo, që shkojnë në Kishë e pastaj nuk lënë gjë pa bërë! Shkandulli shkatërron, shkatërron fenë! E prandaj Jezusi përdor shprehje kaq të forta: ‘Kini mendjen! Kini mendjen!’. E na bën mirë ta përsërisim edhe sot këtë: ‘Kini mendjen! Të gjithë mund të shkandullojmë”.
Njëlloj e anasjelltas, të gjithë duhet të dimë të falim. Të falim gjithnjë, ngulmoi Papa, duke u bërë jehonë fjalëve të Krishtit, që na fton të falim shtatë herë në ditë, nëse ai, që na ra në qafë kot, na e kërkon këtë, i penduar. Jezusi, vërejti Papa Françesku, e thekson fort këtë, për të na bërë të kuptojmë sa e rëndësishme është falja, sepse i krishteri, që nuk është i aftë të falë, shkandullon: nuk është i krishterë:
“Duhet të falim, që të falemi. Kjo është në Atynë: Jezusi na e mësoi aty. E kjo nuk kuptohet dot nga logjika njerëzore. Logjika njerëzore të çon tek mosfalja, të nguc të marrësh hak; të nxit të urresh e të përçash. Sa familje ndahen, sepse nuk arrijnë të falin: sa familje. Ka shumë rëndësi ta mendosh këtë: nëse unë nuk fal, me sa duket ose nuk kam të drejtë të falem, ose nuk e kam kuptuar ç’do të thotë se Zoti më ka falur. Kjo është fjala e dytë: falje!”.
Kuptohet, atëherë, përfundoi Papa Françesku, pse dishepujt, duke i dëgjuar këto gjëra, i thanë Zotit: “Na e shto fenë!”:
“Pa fe nuk mund të jetohet pa shkandulluar e as pa falur gjithnjë. Vetëm drita e fesë, e asaj feje që morëm: fesë së një Ati të mëshirshëm, të një Biri, që dha jetën për ne, të një Shpirti, që është brenda nesh e na ndihmon të rritemi, të fesë së Kishës, të fesë së popullt të Zotit, të pagëzuar, shenjt. E kjo është dhuratë, është dhanti feja! Askush nuk mund ta ketë fenë duke lexuar libra, duke shkuar në konferenca. Feja është dhuratë e Zotit, që të vjen prej Tij e prandaj apostujt i kërkuan Jezusit: “Na e shto fenë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.