2014-11-09 17:58:49

Valët, që e kapërcyen Murin: Radioja e Papës dhe 9 nëntori ‘89


Rënia e Murit të Berlinit pati, për Radio Vatikanin, një rëndësi të madhe. Për dhjetra vjet, brezni të tëra redaktorësh e teknikësh, punuan për t’u çuar mbështetjen e përditshme, përmes frekuencave të Radios së Papës, katolikëve të përtej perdes së hekurt. Mjafton të kujtojmë ç’përfaqësoi zëri i Radio Vatikanit për katolikët dhe mbarë popullin shqiptar në kohën e mbylljes së madhe të kufijve e të zemrave.

Profecia e shembjes së Murit, qe shkruar shumë kohë para se të rrafshohej, nga një autor i panjohur, pikërisht mbi çimenton e tij: “Heret a vonë çdo mur do të shembet!”.
Pikërisht kur për gjermanët e për mbarë Kontinentin fjala “liri” shkruhej me tel ferrc e shpohej me breshëri mitrolozi. Që asokohe në redaksitë e Radio Vatikanit flitej plot besim e bindje, bazuar në fe, për fundin e luftës së ftohtë dhe agimin e lirisë. Deri në ditën, gati të pabesueshme, të 25 vjetëve më parë. Punonjësit e pendës në redaksitë e Radio Vatikanit punonin me bindjen se dashuria e Zotit e mund çdo lloj urrejtjeje e fiton mbi çdo lloj totalitarizmi, duke sjellë për mbarë njerëzimin stinën e ngrohtë, pranverën e lirisë. Asokohe, posaçërisht drejt Evropës Lindore, Radio Vatikani niste ditë për ditë ajrin e pastër të Ungjillit, për t’i çuar frymë të shëndoshë mushkrive të martirizuara të Kishës përtej perdes, që jetonte tragjedinë e persekutimit të regjimeve ateiste, gjakatare.
E kështu erdhi 9 nëntori 1989, kur bota pa, e mrekulluar, skreperët të cilët godisnin murin, që shembej me zhurmë kontinentale. E pa edhe mijëra duar, që i ndihmonin makinat për ta rrëkëllyer sa më shpejt. Pa detin e turmës, që shkelte mbi vijën e ndaluar të kufirit ndërmjet dy botëve, me lot në sy, duke kaluar lirisht nga perëndimi, në lindje; nga terrori, në paqe, me britmën “Freiheit”- “Liri”. Lot gëzimi. E po ata lot gëzimi pikonin në dhomat e Papës e në studiot e Radio Vatikanit, duke e pësshëndetur atë natë të pritur si fitore në fitore. Një lloj premtimi i realizuar. Sepse, për Radio Vatikanin, Muri i Berlinit nuk u shemb papritur e pa kujtuar, si të qe goditur nga rrufeja, siç mund ta rrëfejë ndonjë kronikë emotive e çastit. Në katin e parë të Pallatit Pio, ku rreshtoheshin programet e Evropës Lindore, ndërmjet të cilave, Programi Shqip, mbretëronte atmosfera e qetësisë, pas një beteje të pafund, që kishte zgjatur sa luftërat e hershme. E në atë qetësi, Kisha e katakombave dukej në gjithë lumninë e saj, duke dalë nga heshtja shekullore. Falë Gjon Palit II dhe qëndresës së martirëve të saj, e flakte nga shpina dhimbjen e mizorinë, si barrë e padurueshme.
Historiografia moderne e radhit sot Papën e ardhur nga vendi i largët ndërmjet autorëve më të rëndësishëm të rënies së bllokut komunist, që nga çarja e parë që Biri i Polonisë hapi aty në vitin 1979, me rastin e kthimit të tij të parë në Atdhe, deri tek gërmadhat e Murit të Berlinit, dhjetë vjet më pas. Po kjo historiografi, që di shumë për Papën polak, di shumë më pak për veprimtarinë e Radios në shërbim të Vojtilës e para tij, për ta mbajtur gjallë jo vetëm fenë e të krishterëve përtej Perdes, por edhe për ta penguar rrezikun që etja e pashuar për liri në gjithë këtë mëngë të Planetit, të katandisej në utopi të parealizueshme. Radioja shfrytëzoi “thembrën e Akilit” të gardhit të hekurt. Në çastin kur murin e lartë tri metra e gjysëm e muret e tjera edhe më të rrezikshme nuk guxonte t’i kapërcente askush, Radioja e Papës i kapërceu me rrugë satelitare. Valët e mesme e të shkurtra nisën përtej perdes së hekurt mijëra mesazhe të përditshme, për t’i ndihmuar katolikët në orët më të ndryshme të ditës e të natës, kur mund t’i dëgjonin më pa frikë, me gjithë përndjekjen e vazhdueshme e kur edhe mund t’i regjistronin me ndonjë magnetofon tejet të rrallë, për t’i ridëgjuar. Atëherë në shirit, njëherësh me fjalët e Papës e të redaktorëve të Radio Vatikanit, regjistrohej edhe kënga e parë e gjelave, që lajmëronin agimin.
Kështu katolikët, në flakën e persekutimit, mundën të dëgjojnë Fjalët e Papës, të ndjekin kremtimet liturgjike, fragmente të magjisterit, faqe të Biblës e të sakramenteve, jetët e shenjtorëve, katekizmin për të rritur e për fëmijë, njoftime kishtare të tipeve më të ndryshme, por edhe mësime për të drejtat e njeriut, drejtësinë, kulturën e artin. Një masazh mbi zemrat, që propaganda donte t’i bënte të rrihnin për tjetër gjë! Një bisedë e zhvilluar mbi tokë të minuar nga ateizmi i Shtetit, rimbjellur me durim nga zëra që, me ritmin dhe frymën krijuese të valës radiofonike, flisnin për Krishtin e Kishën. E këtë e bënin në gjuhën shqipe, ruse, ukrainase, hungareze, bjelloruse, armene… Kështu, pikërisht ai grumbull vendesh, që duhej nënshtruar plotësisht, gjeti ende forcë për të kundërvepruar. E tregon më së miri shembulli i Polonisë.
Shumë para se socializmi real të zbulonte forcën politike të “glasnost”, Radio Vatikani punonte për ringjalljen e fesë. Shfrytëzonte çdo dëshmi të mundshme të Kishave vendase e, sidomos, letrat e rralla, që arrinin aso kohe në Romë, duke sfiduar censurën e rreptë. Dëshmitë dhe letrat tregonin se me sa vëmendje ndiqej Radio Vatikani. Dëgjohej nga ortodoksët rusë, nga ateistët kroatë, që pëlqenin mësimet e doktrinës, nga myslimanët shqiptarë, të cilët informoheshin për fjalët e shtegtimet e Papës Gjon Pali II, për të kundërbalancuar, në botën islamike, propagandën e Tiranës, që fliste vazhdimisht për vdekjen e Kishës. Radioja e vogël, e vënë mbi një tryezë të thjeshtë, u ndesh me frikën e regjimit dhe e mundi! Rreth saj nisën të grumbullohen gjithë anëtarët e familjes, në gjunjë, për të ndjekur Meshën e për t’u shujtuar me kungimin e besimit, me guximin e megahercëve të ndaluar.
Ka kaluar tashmë në histori, përgjigjja që Papa i sapozgjedhur Gjon Pali II i dha turmës së Asizit, ku kishte shkuar për t’ia besuar Shën Françeskut misionin e tij. Atyre, që bërtisnin: “Mos e harroni Kishën e heshtimit!”, Gjon Pali II u dha përgjigjen: “Kisha e heshtimit nuk është më. Tani flet me gojën e Papës!”.
Ishte data 5 nëntor e vitit 1978. Përgatiste shembjen e një muri të urryer, për të cilën edhe Radioja e Papës kishte dhënë një kontribut me peshë.E, për kujtim të gjithë kësaj beteje radiofonike gati shekullore, një copëz nga Muri i Berlinit, vendosur në Kopshtet e Vatikanit, fare pranë antenave të sotme të Radios së Papës, duket sikur kërkon mikrofonin tonë, për të vijuar tregimin, që njerëzit të mos harrojnë…







All the contents on this site are copyrighted ©.