2014-11-09 16:05:13

Papa kujton rënien e Murit të Berlinit: bota ka nevojë për ura!


Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku foli për 25-vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, duke e konsideruar si simbol i përçarjes. Nisi të kujtojë, por u ndërpre nga duartrokitjet e stuhishme dhe nga fluturimi i një pëllumbi që, me krahët e erës, e mbartën gëzimin e romakëve e të shumë e shumë të huajve, të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, deri tek Porta e Brandenburgut e tek sheshet dhe udhët e kryeqytetit gjerman, ku kjo ngjarje e madhe kremtohet prej ditësh me durtrokitje, zëra, muzikë, heshtje, emocione. Kremtohet kështu dita e rilindjes së Evropës, e ringjalljes së saj, dalja në dritë, nga rrënojat prej çimentoje e hekurishtash që, për 30 vjet me radhë, ngujuan e ndanë vise e njerëz. Papa Françesku mori pjesë në entuziazmin e përgjithshëm, duke folur me gojën e Kishës për ngjarjen e madhe, për shembjen e atij, të cilin e quajti: “simbol i ndarjes ideologjike të Evropës e të mbarë botës”:
“U shemb papritmas, pasi kjo shembje u bë e mundur përmes angazhimit të një mori njerëzish, që luftuan, u lutën, vuajtën, disa deri në flijimin e jetës, për t’ia arritur kësaj dite. Ndërmjet tyre, një rol protagonisti pati Ati i Shenjtë Gjon Pali II”.
Historia është mësuese e jetës e Papa Françesku i ngriti sytë nga muri, që nuk është më, për të kërkuar shembjen e të gjitha mureve, që vijojnë t’i ndajnë edhe sot e kësaj dite popujt me çimenton e formave të tjera të diskriminimit:
“Të lutemi që, me ndihmën e Zotit e bashkëpunimin e mbarë njerëzve vullnetmirë, të përhapet gjithnjë më shumë kultura e takimit. Kjo kulturë është e aftë t’i shembë të gjitha muret që e ndajnë edhe sot e kësaj dite botën e të mos ndodhë kurrë më që njerëz të pafajshëm të persekutohen e deri edhe të vriten për shkak të besojmës e të fesë së tyre. Ku ka mure, ka edhe zemra të mbyllura! Na duhen ura, jo mure!”.
Kjo thirrje plot ngazëllim e Papës, lidhej ngusht me reflektimin, që i parapriu lutjes së Engjëllit të Tënzot. Duke folur për Kushtimin e Bazilikës Lateranense, kremtuar sot nga Kisha, nënvizoi se kuptimi shpirtëror i kësaj feste duhet të jetë gjithnjë ai i unitetit, që përfaqëson kjo Bazilikë për të gjitha bashkësitë e krishtera, si seli e hershme e Ipeshkvit të Romës. Papa Françesku vërejti se pikërisht “bashkimi i të gjitha Kishave”...:
“... për analogji, na nxit të angazhohemi që njerëzimi t’i kapërcejë kufijtë e armiqësisë e të indiferencës, të ndërtojë ura mirëkuptimi e dialogu, për ta bërë mbarë botën një familje popujsh të pajtuar, vëllezër solidarë”.
Duhen tulla, për të ndërtuar një kishë, shpjegoi akoma Françesku, por duhet shpirt, që këto tulla të marrin jetë në jetën e të krishterëve, gurë të gjallë, të thirrur, pohoi Papa, për detyrën e koherencës:
E nuk është e lehtë, e dimë të gjithë, koherenca e fesë dhe e dëshmisë; por ne duhet të ecim përpara e ta bëjmë këtë koherencë të përditshme në jetën tonë. ‘Ky është i krishteri!’. Jo për atë që thotë, por për atë që bën, për mënyrën si sillet. E këtë koherencë, që na jep jetë e që është hir i Shpirtit Shenjt, duhet ta lypim”.
Kisha, përfundoi Françesku, është e thirrur të jetë në botë bashkësi që, e rrënjosur në Krishtin përmes Pagëzimit, shpall me përvujtëri e guxim besimin në Të, duke e dëshmuar edhe përmes dashurisë së krishterë.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë kujtoi ‘Ditën e Falënderimit” që kremtohej në Itali:
Bashkoj zërin me ipeshkvijtë duke uruar një angazhim të ri, që askujt të mos i mungojë buka e përditshme, të cilën Zoti e dhuron për të gjithë. Jam pranë botës së bujqësisë dhe e inkurajoj ta kultivojë tokën në mënyrë të qëndrueshme e solidare”.E nga Italia, në Romë, përshëndetja e Papës iu drejtua dioqezës kapitoline, në festën kushtuar Ditës për mbrojtjen e gjithësisë, ngjarje, kujtoi Papa, që na kujton se duhen promovuar stile jete, bazuar mbi respektin për ambientin, duke ripohuar besën që lidhi njeriu, roje e krijimit, me Krijuesin e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.