2014-11-09 16:05:55

Një copëz histori gjermane në Vatikan


25 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, copëzat e tij janë shpërndarë në mbarë botën: nga Koreja e Jugut, në Vatikan, nga Tonga, në Los Angeles, si simbole universale të lirisë. Ato ditë gjermanët nuk mendonin tjetër, veçse ta rrënonin një orë e më parë murin e urryer. Por pasi u shemb, copëzat e çimentos e të telit me gjemba, që shtriheshin për më se 150 kilometra, u copëzuan, duke u shndërruar gati-gati në relike të lirisë. Mund t’i soditësh sot në Kombet e Bashkuara, në Nju Jork, në Muzeumin Perandorak të Luftës në Londër, në Paris, Uashington. Një mori copëzash ruhen në koleksionet e njerëzve të ndryshëm, jeta e të cilëve lidhet me murin, me ngritjen e me shembjen e tij. Secili ka historinë e vet personale. Njerëzit e thjeshtë e kujtojnë rënien si ditën e lirisë e meditojnë për udhën e trishtuar të jetës së tyre pas perdes së hekurt. Piktorët e pikturojnë, tani që nuk është më. Paradoksi i murit: para 25 vjetësh e pikturonin, për ta bërë të shembej, tani e pikturojnë, si simbol i rikthimit të lirisë në Evropë. E pikturojnë dhe ia ruajnë copat në koleksione, si relike me vlerë, që flasin me gjuhën, herë pesimiste e herë optimiste, të historisë së kombeve e të njerëzve.
Me këtë gjuhë flet edhe fragmenti i murit, që ruhet në Kopshtet e Vatikanit. Vjen nga qendra e Berlinit, nga zona ku muri kaloi mes për mes bashkësisë së Shën Mikelit, duke e ndarë më dysh. Kisha e Shën Mikelit ndodhej në lindje, ndërsa shumica e besimtarëve jetonin në pjesën perëndimore të qytetit.
Në vitin 1986, artisti iranian me banim në Berlin, Yadegar Asisi, realizoi pikërisht në këtë vend pikturën, që të krijonte idenë e transparencës së murit. Në skicën, ku paraqitet një pjesë e kishës, muri duket sikur nuk ekziston e udha ndërmjet dy pjesëve të Berlinit është e lirë.
Pas shembjes së Murit, në vitin 1990, këtë fragment Muri e bleu italiani Marco Piccininni, për t’ia dhuruar, më 1994, Vatikanit.Tani ndodhet ndërmjet shtatoreve, shatërvanëve, luleve e blerimit, atje ku dëgjohet vetëm pëshpëritija e lutjeve në orët e ndryshme të ditës e muzika e këmbanave të Bazilikës së Shën Pjetrit. E të duket sikur i përsërit mbarë botës fjalët e Papës: “Kemi nevojë për ura, jo për mure!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.