2014-11-09 16:06:11

Njihen virtytet heroike të Silvio Dissegna, piemontez, 12 vjeç


Papa priti në audiencë kardinalin Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Gjatë pritjes, autorizoi dikasterin për të shpallur dekretet mbi virtytet heroike të tetë Shërbëtorëve të Hyjit. Ndërmjet tyre, edhe djaloshi 12 vjeçar, Silvio Dissegna, si dhe një edukator i të rinjve, atë Raimondo Calcagno, i Kongregatës së Oratorit të Shën Filip Nerit.
Silvio Dissegna lindi në Moncalieri, provinca e Torinos, më 1 korrik 1967. Ishte fëmijë i zakonshëm, gazmor e tërë jetë. Kështu, derisa u sëmur rëndë me kancer të kockave. Nisi për të Kalvari, mbi të cilin u ngjit me Rruzare në dorë. Ditë natë. “Kam shumë për t’u thënë Jezusit e Zojës së Bekuar, pohonte, duke i ofruar dhimbjet e tmerrshme të sëmundjes, për meshtarët, misionarët, për shpëtimin e mëkatarëve e vëllazërimin e gjithë njerëzve”. E dinte se Jezusi e donte fort e se po e priste në Parajsë, ku duhet të ketë arritur më 24 shtator 1979, kur ishte vetëm 12 vjeç.
Shërbëtorët e tjerë të rinj të Hyjit, janë:
Francesco Massimiano Valdés Subercaseaux, i Urdhërit të Fretërve të vegjël, ipeshkvi i parë i Osornos(Kili).
Ildebrando Gregori: Abat i përgjithshëm i Kongregatës Silvestrine të Urdhërit të Shën Benediktit, themelues i Motrave Benediktine të Fytyrës së Shenjtë të Zotit tonë Jezu Krishtit
Giovanni Sullivan, meshtar i Shoqërisë së Jezusit
Pelagio Saúter, meshtar i Kongregatës së të Shenjtnueshmit Shëlbues
Giovanna Mance, laike kanadeze, themeluese e Spitalit Hotel-Dieu në qytetin e Montréalit (Kanada) Marta Luigia Robin, laike franceze, themeluese e Shoqatës Foyers de Charité.







All the contents on this site are copyrighted ©.