2014-11-07 14:50:53

Roli i Papës Gjon Pali II në rënien e Murit të Berlinit


Rënia e Murit të Berlinit mes 8 e 9 nëntorit 1989 “Ishte rezultati i një historie të gjatë shtypjeje dhe lufte kundër kësaj shtypjeje”, sipas fjalëve, të kancelares gjermane Angela Merkel, shqiptuar me rastin e 20 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, në një ceremoni madhështore në kryeqytetin e Gjermanisë, në të cilën morën pjesë mëse 100 mijë vetë. Po mungonte pikërisht personaliteti i padiskutueshëm që dha një kontribut të pamohueshëm me thirrjen e tij “Mos kini frikë” dhe me udhëtimet në Poloninë e Solidarnoshit e të Lek Valesës. Ky personalitete qe Papa Shën Gjon Pali II, simbol i qartë i fundit të regjimeve totalitare komuniste në Evropën Lindore.
Po, cili ka qenë roli i Papës Vojtila në rënien e Murit të Berlinit, simbolit të komunizmit, e cili është kontributi i të krishterëve në ndërtimin e Evropës? Ja çka thotë kardinali Anxhelo Sodano. Sekretar i Shtetit të Vatikanit në kohën e papnisë së Papës polak. Po e kujtojmë edhe librin e tij “Për një Evropë të re”:
“Ra atëherë një simbol i ndarjes së Evropës e sidomos filloi të bjerë Evropa qendro-lindore, ai sistem komunist, që iu imponua me forcë atyre popullsive. Ishte triumfi i lirisë së popujve. Pikërisht këtë tha Papa i ndjerë Gjon Pali II kur më vonë, në vitin 1996, vizitoi Berlinin. Para atij Muri e para Portës së Brandeburgut, Papa Gjon Pali II tha: “Porta e Brandeburgut është bërë Porta e lirisë”. Isha edhe unë me atë rast përkrah Papës Wojtilla dhe e kujtoj si tani mallëngjimin e kancelarit Kohl dhe të gjithë të pranishmëve, të cilët brohoritën stuhishëm, si për ta falënderuar Papën për kontributin e kthimit të lirisë në zemër të Evropës. Tashmë, ky kontribut njihet nga shumica. Dua vetëm të tregoj një dëshmi, siç mund të ishte ajo e ish-presidentit të Bashkimit Sovjetik, Gorbaçov, në vitin 1992: “Sot – tha atëherë ai – mund të themi se gjithçka ka ndodhur në Evropën lindore në këto vitet e fundit nuk do të ishte e mundur pa praninë e këtij Pape (Gjon Pali II), pa rolin – edhe politik – që ai diti të luajë në skenën botërore”.
Falë Papës Shën Gjon Palit II dhe falë kontributit të shumë të krishterëve të Evropës, 25 vjet më parë filloi të ndërtohej një Evropë e re. E cili është kontributi i të krishterëve për “Evropën e Re”? Kardinali Sodano thotë:
“Është kontributi i atyre që punojnë për të ndërtuar baza të forta për shtëpinë e re evropiane, baza vlerash shpirtërore. Për këtë, të gjithë të krishterët e Evropës – si katolikë, ashtu edhe ortodoksë apo protestantë – përpiqen të bashkëpunojnë, për të ndërtuar një Evropë të përshpirtshme. Ashtu siç thotë Papa Benedikti XVI në enciklikën “Caritas in Veritate”: “Feja e krishterë dhe fetë e tjera mund të japin kontributin e tyre për zhvillimin, vetëm nëse Zoti gjen vend edhe në sferën publike, duke iu referuar veçanërisht përmasës kulturore, shoqërore, ekonomike e, sidomos, asaj politike. Doktrina shoqërore e Kishës ka lindur për të kërkuar këtë “status qytetarie” për fenë e krishterë… Përjashtimi i fesë nga sfera publike, ashtu si fondamentalizmi fetar, që është ekstremi tjetër, pengon takimin ndërmjet njerëzve dhe bashkëpunimin e tyre për përparimin e njerëzimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.