2014-11-07 14:40:50

Papa Françesku: bashkësive të rregulltarëve, mos shkoni pas shembullit e të shoqërisë


“Rregulltarët janë të thirrur të japin dëshmi profetike vëllazërie, sepse është më mirë të durosh grushtet, sesa terrorizmin e thashethemeve”. Këtë pohoi Françesku, duke pritur sot pjesëmarrësit në asamblenë kombëtare të Konferencës italiane të Kryeeprorëve, përfunduar dje, në Tivoli. RealAudioMP3
Porosia e parë, që u dha Papa rregulltarëve, është ajo e dëshmisë profetike të jetës ungjillore. Profecia nuk është kurrë ideologjike, theksoi, e aq më pak diçka e modës, por shenjë kundërshtie. Është shenjtëria ajo, që e bën të rritet Kishën:
“.. .. sepse përballë dëshmisë së një vëllai a të një motre, që e jeton me gjithë mend jetën rregulltare, njerëzit nuk mund të mos pyesin: ‘çfarë gjëje të veçante ka këtu?’, ‘ç’e shtyn këtë njeri përtej horizontit të mendësisë së botës?’ Kjo, do të thosha, është gjëja e parë: ta ndihmojmë Kishën të rritet, përmes forcës tërheqëse të bijve të saj, pa u përpjekur të bëjmë prozelitë: me forcë tërheqëse!”.
Nuk është fjala për të bërë beteja praparoje, beteja mbrojtjeje, por për ta shkrirë tërë jetën ndërmjet njerëzve, që jetojnë në skajet e historisë, në periferitë e botës. E, shenja e qartë, që jeta rregulltare është e thirrur të japë sot, është vëllazëria:
“Por, ju lutem, të mos ketë ndërmjet jush terror thashethemesh, eh! Flakini larg jush! Të ndjehet fort fryma e vëllazërisë! E nëse ke ndonjë gjë kundër vëllait, thuaja ndër sy… Nganjëherë mund edhe të përfundosh me grushte, ani, s’ka gjë! Është më i mirë grushti, se terrori i thashethemeve”.
Sot, vijoi Françesku, kultura sunduese është individualiste, e përqendruar mbi të drejtat subjektive. Është kulturë, që e bren shoqërinë, duke u nisur nga qeliza parësore, që është familja. Jeta rregulltare mund ta ndihmojë Kishën dhe mbarë shoqërinë, duke dhënë dëshminë e vëllazërisë, që mund të jetohet me vëllezërit, pa e cenuar larminë. Sepse në bashkësi nuk hyjmë si të zgjedhur. Në bashkësi jetojmë me njerëz të tjerë, me karaktere, moshë, formim, ndjeshmëri të ndryshme. E megjithëkëtë, bëhen përpjekje për të jetuar si vëllezër:
“Nuk i dilet gjithnjë mbanë, ju e dini mirëfilli! Shpesh edhe gabohet, sepse të gjithë jemi mëkatarë, por pranohet se kemi gabuar, kërkojmë falje e na falin. E kjo i bën mirë Kishës: bën të qarkullojë në korpin e Kishës limfa e vëllazërimit. E i bën mirë edhe mbarë shoqërisë”. Kjo vëllazëri hamendëson atësinë e Hyjit e amësinë e Kishës e të Nënës së saj, Virgjërës Mari. Duhet ta jetojmë çdo ditë këtë lidhje, e mund ta bëjmë me lutje, me Eukaristinë, me adhurimin, me Rruzaren. Kështu përtërijmë ditë për ditë jetën me Krishtin e në Krishtin. E kështu sigurojmë edhe lidhjen e ngushtë me Atin që është në qiell e me Kishën Nënë, Nënën tonë të Shenjtë Kishën hierarkike e me Nënën Mari. Nëse e jetojmë jetën duke vënë mbi bazë të saj këto lidhje themelore, atëherë jemi në gjendje ta realizojmë edhe vëllazërinë e vërtetë, ta dëshmojmë vëllazërinë, atë vëllazëri, që të tërheq e të bën për vete.







All the contents on this site are copyrighted ©.