2014-11-06 13:56:16

Çelësi i fjalëve të Kishës: Toka e premtuar


“Me anë të fesë Abrahami, kur qe grishur, dëgjoi të çohet dhe të niset drejt vendit që do ta fitonte në trashëgim… Me anë të fesë erdhi të banojë në tokën e premtuar” (Heb 11,8-9).RealAudioMP3 Na kujtohet sot kjo frazë e marrë nga Letra drejtuar Hebrenjve, ndërsa bota përgatitet të kremtojë 25-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, “Tokë e premtuar” për të gjithë ata, që shpresonin se një ditë Zoti do t’i shpëtonte nga kthetrat e diktatorëve të kuq e do t’u tregonte udhën drejt një “toke” pjellore, plot me përrenj, burime, ujë që bulon nga gjiri i dheut e që vadit fushat, ku rritet grurë, rrush, fiq, shegë, ullinj, ku ka vaj e mjaltë, bukë me shumicë, hekur e bakër, siç përshkruhet në Librin e Ligjit të Përtërirë (8,7-10) toka e Kanaanit, simbolikisht “tokë” e begatisë. Do t’ju flasim më specifikisht për rënien e Murit të Berlinit, të dielën, kur është pikërisht përvjetori i rënies së tij, por sot, për rubrikën tonë javore, na intereson më shumë kuptimi i fjalës “Tokë e premtuar” nga pikpamja e fesë.
Së pari, ajo është objekt i premtimit, që Zoti i pati bërë Abrahamit. Në Librin e Zanafillës thuhet: “Zoti i tha Abrahamit: Dil prej vendit tënd… në drejtim të një vendi që do të ta tregoj” (12,1). E siç vë në dukje shkrimi i bukur i Besëlidhjes së Re, Letra drejtuar Hebrenjve, të cilën e cituam në fillim, Abrahami u bind me fe. E fjala “fe” këtu është themelore. Historia e Izraelit u lidh pazgjidhshëm me atë tokë, dhuruar solemnisht nga Zoti pas eksodit, aq shumë e dashur dhe e idealizuar, sa të hyjë në Besojmën e Izraelit: “Unë jua dhashë tokën që nuk e keni punuar, qytetet që nuk i keni ndërtuar e banoni në to” (Jz 24,13).
Por, toka është edhe impenjim për Popullin e zgjedhur e kjo shprehet jo vetëm përmes punës së çdo fisi, pas hyrjes në atë territor, por edhe përmes fesë në Hyjin. Është pikërisht kjo arsyeja – nevoja e përmasës fetare – që nga ana tjetër, i hap mundësinë kulteve idhujtare, që e largojnë Izraelin nga Zoti. Kështu, në vitin 586 para Krishtit, pas shkatërrimit të Jeruzalemit nga armatat e Nabukodonosorit, populli hebraik niset në eksodin babilonez, por kur arrin ta pastrojë idealisht shpirtin gjatë pendesës së eksodit, i jepet mundësia të kthehet në tokën e të parëve, në një mënyrë të tillë sa një profet i shekullit IV para Krishtit, i ashtuquajturi Isaia i Dytë (kap. 40-55), flet për një eksod të ri çlirimtar.
Në këtë dritë, toka e Kanaanit, siç quhej nga banorët e saj të hershëm, ose Palestina (pra, Filistea, nga emri i popullsisë së lashtë, që erdhi më pas), ose “Izrael” apo “tokë”, siç e quan Besëlidhja e Vjetër, do të kthehet kështu në “Tokën Shenjte”, sidomos në traditën e krishterë, në vazhdën e Librit të Urtisë, që e përdor këtë emër (12,3). Kështu, të krishterët kanë një simbol, të cilin mund ta evokojnë gjithnjë, pavarësisht nga territori i vërtetë gjeografik. Ai është horizonti i përsosur, i ngjashëm me Jeruzalemin e ri qiellor, për të cilin këndohet në Librin e Zbulesës. Sërish, Letra drejtuar Hebrenjve na jep një meditim të gjerë për këtë (3,7-4,11), duke e quajtur tokën, që presim, tokën e fundme, si “pushimi” i plotë dhe i përsosur i të drejtëve.
Kuptohet atëherë, lumnia, për të cilën flet Jezusi: “Lum ata që janë të butë, sepse do ta trashëgojnë tokën” (Mt 5,5). Tashmë, “toka e premtuar” nuk është më një rajon, një hapësirë, por një horizont i ri jete e bashkimi me Zotin. E në këtë perspektivë, mund të rilexojmë Psalmin 37: “Shpreso në Zotin e bëj mirë: kështu do të banosh në tokën e premtuar… ata që shpresojnë në Zotin do ta trashëgojnë tokën… të butët do ta trashëgojnë tokën” (vv. 3.9.11). Prandaj, toka e premtuar është gjithkund, edhe në rënien e atij Muri të Berlinit, kaq të shpresuar me fe e besim se Hyji i Gjithpushtetshëm do të realizonte një ditë, ëndrrën e të vuajturve e të butëve, që nuk iu nënshtruan komunizmit.








All the contents on this site are copyrighted ©.