2014-11-06 14:38:43

Papa: familja burim i nevojshëm për kulturën e solidaritetit


Familja si burim i duhur për të ushqyer solidaritetin. Papa Françesku ua kujton këtë ipeshkvijve afrikanë të Konferencës Ipeshkëvnore të Malàvit, të cilët i priti në audiencë në Vatikan, me rastin e vizitës së tyre ‘ad limina apostolorum’. “E di që populli po ballafaqohet me pengesa shumë të rënda në fushën e zhvillimit, të progresit ekonomik e të luftës për mirëqenie, po përherë duke qëndruar i rrënjosur mbi vlerat e veta familjare”, tha Papa. E vërtet, “pikërisht në familje, me tërë aftësinë e saj specifike e unike, kemi aftësinë për të formuar çdo anëtar, posaçërisht të rinjtë, si njerëz dashamirës, të aftë të flijohen, të angazhohen e të jenë besnikë, në mënyrë që Kisha dhe shoqëria e Malàvit të mund të gjejnë burimet e duhura për përtëritjen dhe ndërtimin e kulturës së solidaritetit”.
Në fjalimin e tij drejtuar ipeshkvijve të Malàvit, Papa Bergoglio i fton prelatët “të mos i lënë anash aspektet e jetës familjare si fëmijërinë e rininë, miqësinë, jetën martesore të të martuarve, besnikërinë e dashurinë, marrëdhëniet ndërpersonale dhe mbështetjen e familjes“ nga ana e Kishës. Ati i Shenjtë Françesku i porosit ipeshkvijtë afrikanë t’u “jenë pranë meshtarëve” e të “kujdesen më mirë për formimin e tyre njerëzor, nga i cili varet formimi i mirë shpirtëror, intelektual e baritor”.
Së fundi, Papa Françesku u kërkon ipeshkvijve të Malàvit një “vëmendje të veçantë ndaj të rinjve, që janë pjesë e çmueshme sot dhe premtim për të ardhmen e Vendit” dhe fton Kishën ta “ketë përherë parasysh tragjedinë e shumë të varfërve, jeta e të cilëve është pa perspektivë dhe të kujtohen për vuajtjet e të sëmurëve, posaçërisht nga Sida, për dramën e familjarëve të tyre e të fëmijëve jetimë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.