2014-11-06 14:38:00

Papa, ungjillorëve: të kapërcehen ndarjet, që shtrembërojnë Ungjillin


Efikasiteti i kumtit të krishterë do të ishte më i madh, nëse të krishterët nuk do të ishin të ndarë. Në takimin me Aleancën Botërore Ungjillore, Papa Françesku theksoi sërish se ndarjet e të krishterëve e zbehin bukurinë e Ungjillit. “Ta ndihmojmë Kishën të bëhet gjithnjë e më tepër ‘në Krishtin’ e ‘me Krishtin’”, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke pohuar se të ndarë, të krishterë kanë më pak forcë për të plotësuar urdhërimin e Tënzot, i cili këshillon t’u predikohet Ungjilli të gjitha kombeve:RealAudioMP3
“Realiteti i ndarjeve tona e shëmton bukurinë e mantelit të vetëm të Krishtit, por nuk e shkatërron krejtësisht bashkimin, që lind nga hiri i dikuar mbi të gjithë të pagëzuarit (shih Conc. Ecum. Vat. II, Decr. Unitatis redintegratio, 13). Sigurisht që kumti i krishterë do të ishte shumë më i frytshëm, nëse të krishterët do t’i kapërcenin ndarjet e do të kremtonin së bashku Sakramentet, si edhe, së bashku, të mund të përhapnin Fjalën e Zotit e të dëshmonin dashurinë e Tij”.
Papa Françesku shprehu kënaqësi për faktin se në shumë vende të botës, katolikët dhe ungjillorët kanë marrëdhënie vëllazërore bashkëpunimi. Vuri gjithashtu në dukje punën e përbashkët të dikasterit vatikanas për Bashkimin e të Krishterëve dhe atë të Aleancës Botërore Ungjillore për të sqaruar keqkuptimet e për të përvijuar udhën e kapërcimit të paragjykimeve:
“Të dashur vëllezër e motra, kam besim se Shpirti Shenjt, që dikon në Kishë, përmes frymës së tij të fuqishme, guximin për të vazhduar e për të kërkuar metoda të reja ungjillëzimi, mund të përurojë një etapë të re në marrëdhëniet ndërmjet katolikëve dhe ungjillorëve. Një etapë, që të mundësojë realizimin e plotë të vullnetit të Zotit për ta çuar Ungjillin deri në kufijtë më të skajshëm të tokës (shih Vap 1,8)”.







All the contents on this site are copyrighted ©.