2014-11-05 16:11:59

Papa miraton normat për dorëheqjen e ipeshkvijve dhe të kardinajve


Në audiencën e sotme me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, Papa Françesku miratoi me anë të një “Rescriptum”, normat për dorëheqjen e ipeshkvijve dioqezanë dhe të titullarëve të zyrave, me emërim papnor. “Rescriptum” është përgjigjja për çështje, që i shtrohen Papës në formën e një pyetjeje. Në këtë rast, siç u shpjegua në konferencën me gazetarët nga zv.drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Ciro Benedettini, Papa i ripropozoi - duke i përforcuar - normat e njohura, në vazhdën e ftesës për ta konsideruar episkopatin si shërbim e jo si nder.
Sipas normave në fuqi në Kishën latine e në Kishat e ndryshme Lindore katolike, ipeshkvijtë dioqezanë dhe eparkialë, si edhe ipeshkvijtë ndihmës “ftohen të paraqesin dorëheqjen nga detyra e tyre baritore pasi të kenë mbushur 75 vjeç”. Pasi pranohet dorëheqja, të interesuarit nuk kryejnë më asnjë detyrë tjetër, në nivel kombëtar.
“I denjë për vlerësim kishtar – lexohet në ‘Rescriptum’ – është gjesti i atij, që i shtyrë nga dashuria dhe nga dëshira për t’i shërbyer më mirë bashkësisë, e konsideron të nevojshme që, për shkak të sëmundjes, ose për arsye tjetër të rëndë, të heqë dorë nga detyra baritore, para se të arrijë moshën 75 vjeç. Në raste të tilla, besimtarët janë të thirrur të tregojnë solidaritet e mirëkuptim për atë, që ka qenë bariu i tyre, duke e ndihmuar menjëherë, sipas kërkesave të bamirësisë e të drejtësisë”.
“Në disa rrethana të veçanta – vijon dokumenti – autoriteti përkatës mund ta konsiderojë të nevojshme t’i kërkojë një ipeshkvi të heqë dorë nga shërbimi baritor, pasi e njofton për arsyet e kësaj kërkese dhe pasi dëgjon me vëmendje arsyet e tij, në një dialog vëllazëror”.
“Kardinajtë – krerë dikasteri në Kurien Romake dhe kardinajtë e tjerë, që kryejnë detyra me emërim papnor, njëlloj, sapo të mbushin moshën 75 vjeç, duhet t’i paraqesin dorëheqjen Papës, i cili, pasi vlerëson çdo gjë, vendos”.
“Krerët e dikastereve të Kuries Romake, që nuk janë kardinaj, sekretarët dhe ipeshkvijtë, që kryejnë detyra me emërim papnor – përfundon ‘Rescriptum’ – nuk e kryejnë më atë detyrë me të mbushur 75 vjeç; anëtarët (e Kuries), kur mbushin moshën 80 vjeç; gjithashtu, ata që i përkasin një dikasteri për shkak të një detyre tjetër, duke mos e kryer më këtë detyrë, nuk janë më as anëtarë (të dikasterit)”.








All the contents on this site are copyrighted ©.