2014-11-05 15:08:09

Logoja fituese e “200 vjetorit të lindjes se poetit Jeronim De Rada”


Në Shqipëri, siç dihet, viti 2014 është shpallur si “Viti i Jeronim De Radës”, me rastin e 200-vjetorit të lindjes kushtuar figurës së poetit, publicistit, folkloristit, filologut, mësuesit e themeluesit të letërsisë dhe të kulturës arbëreshe.
E tani u shpall edhe Logoja fituese e “200 vjetorit të lindjes së poetit arbëresh Jeronim De Rada” nga Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, me kërkesë dhe mbështetje ligjore nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Në konkursin e zhvilluar nga 10 deri më 30 tetor, morën pjesë 20 konkurrues, juria pasi përzgjodhi 5 punime, shpalli fitues Elsi Kongo, nga Tirana. Punimi i tij artistik, - shkruajnë mediat shqiptare -simbolizon dhe përcjell gjurmën e pashlyeshme që ka lënë poeti Jeronim De Rada në letrat dhe kulturën shqiptare, duke e përcjellë atë në shekujt e historisë shqiptare.
Prandaj edhe interesi për këtë jubile është i madh, sipas Artan Shabanin, drejtor i GKA e njëkohësisht anëtar i jurisë. “Kjo logo është shenja e kurorëzimit të një viti aktivitetesh dhe do të shoqërojë publikimet për Jeronim De Radën, aktivitete të cilat kulmojnë në muajin nëntor, kur finalizohen aktivitetet kushtuar poetit arbëresh”, tha Shabani.
E kur flasim për etërit e kombit shqiptar nuk ka sesi të mos bjerë në sy fakti se shumë nga frymëzuesit e një Shqipërie të Pavarur ishin poetë me shpirt si Naimi, Pashko Vasa, Fishta e të tjerë. Vend të dukshëm mes tyre zë Jeronim de Rada, arbëreshi i Makies së Kalabrisë. Vizioni që ai si poet kishte për një Shqipëri të lirë e të pavarur, u shndërrua në një realitet politik e De Rada vetë në ideologun dhe pararendësin e Rilindjes Kombtare, duke iu imponuar të gjitha planeve të politikanëve ballkanikë. Ky qe triumfi i shpirtit të dlirë të poetit mbi amullinë që kishte lënë pas pushtuesi osman por edhe mbi kllapitë e shteteve ballkanike që ëndërronin të zgjeroheshin në truallin e stërgjyshërve të shqiptarëve.
Jeronim De Rada (Girolamo de Rada) lindi më 19 dhjetor 1814 në fshatin Makia të Kozencës së Kalabrisë, mësimet e para i kreu në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër Korona. Më 1834 shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë gjallërisht në lëvizjen politike dhe kulturore të kohës. Më 1848 nxori të parën gazetë shqiptare “L'Albanese d'Italia”, në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Pas dështimit të revolucionit më 1848 e mbylli gazetën dhe i zhgënjyer u tërhoq në fshatin e tij të lindjes deri në fillim të viteve 60 të shek. XIX. Duke nisur nga v. 1861, në jetën e De Rada nisi një fazë e re, kur ai shfaqet si një nga figurat më në zë te Rilindjes sonë Kombëtare.
De Rada kishte shkruar veprat “Këngët e Milosaos”, “Një pasqyrë e jetës njerëzore”, “Skënderbeu i pafan”, “Flamuri i Arbrit” (revistë) dhe “Rapsodi të një poeme shqiptare”, mbledhur në kolonitë e rrethit të Napolit.
Jeronim De Rada vdiq me 28 shkurt 1903 dhe nuk e pa pavarësinë e Shqipërisë, po shqiptarët i bëri të ëndërrojnë bukur e guximshëm për lirinë e pavarësinë e Atdheut.







All the contents on this site are copyrighted ©.