2014-11-04 12:31:46

Papa: Zoti jep falas. Nuk duhet të jemi katolikë të vakët


Në Mbretërinë e Zotit, ligji “më jep, të jap” nuk vlen, pasi Hyji dhuron gjithçka falas. Kjo ishte ideja qendrore e homelisë së Papës Françesku në meshën e sotme të mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Nganjëherë, vuri në dukje Ati i Shenjtë, për shkak të egoizmit, ose të dëshirës sonë për pushtet, e refuzojmë festën, në të cilën Zoti na fton falas.
Papa mori shkas nga shembëlltyra e Jezusit në Ungjillin e sotëm. Dikush i thirri njerëzit në festë, por të ftuarit gjetën pretekste për të mos shkuar. Ati i Shenjtë përshkroi sjelljen e këtyre tri vetëve. I pari, tha, nuk shkon në festë, sepse dëshironte të shkonte në fushë, ta shihte e të ndihej pak si i fuqishëm, kryelartë për pronën që kishte. Tjetri bleu pesë buaj, pra, u përqendrua në punë, duke preferuar “të mos humbë kohë” me të tjerët. I fundit gjen pretekstin se nuk dëshiron ta marrë gruan me vete në festë, se mos ia shihnin të tjerët. Ky është egoist, komentoi Papa. Në fund të fundit, që të tre preferuan të bënin diçka për veten e tyre, për interesin e tyre, sepse ardhja në festë nuk shpërblehej:
“Nëse ftesa do të ishte, për shembull: ‘Ejani, se kam dy o tre miq afaristë, që vijnë nga një vend tjetër e mund të bëjmë diçka bashkë’, sigurisht, askush nuk do të kishte munguar. Por ata frikësoheshin nga dhurata falas. Të bëheshin njëlloj me të tjerët, atje… Egoizmi u thoshte të ishin ata, në qendër të gjithçkaje… Është e vështirë ta dëgjojë zërin e Jezusit, zërin e Zotit, ai që sillet rreth vetvetes: nuk ka horizont, sepse horizonti është ai vetë. E pas kësaj ka diçka tjetër, më të thellë: është frika nga dhurata falas. Kemi frikë nga dhurata falas e Zotit. Është kaq e madhe sa na shtin frikën”.
Kjo ndodh, tha Papa Françesku, sepse përvoja e jetës na tregon se mund edhe të vuajmë. Mendojmë se pas dhuratës së madhe do të na kërkojnë ndonjë gjë edhe më të madhe si këmbim:
“Jemi më të sigurtë në mëkatet tona, në kufizimet tona, në shtëpinë tonë; të dalim nga shtëpia për t’iu përgjigjur ftesës së Zotit, në shtëpinë e Hyjit, me të tjerët? Jo. Kam frikë. E të gjithë ne të krishterët e kemi këtë frikë: të fshehur, brenda vetes… Jemi katolikë, por jo në tepri. Besojmë në Zotin, por pa e tepruar. Kjo ‘jo me tepri’ na e shenjon jetën, na bën të vegjël, apo jo? Na bën të tkurremi”.
Kur shërbëtori i tha të zotit se të ftuarit nuk vinin, ai u zemërua, sepse e pa se nuk e kishin përfillur. Prandaj, thirri në festë të varfërit, sakatët, këdo që gjeti nëpër sheshet e nëpër rrugët e qytetit. Zoti i kërkon shërbëtorit t’i detyrojë njerëzit të hyjnë në festë. Sa herë, nënvizoi Papa, Hyjit i duhet të bëjë kështu me ne, me anë të sprovave, derisa të marrim vesh, derisa të kuptojmë:
“Detyroji, sepse festa është këtu. Është falas. E detyron atë zemër, atë shpirt të besojë se Hyji jep falas, se dhurata e Zotit është falas, se shëlbimi nuk blihet: është dhuratë e madhe. Dashuria e Zotit është dhurata më e madhe! Kjo do të thotë të japësh falas. E ne kemi pak frikë, prandaj mendojmë se shenjtëria arrihet me gjërat tona dhe me kalimin e kohës, kthehemi pak në pelagjianë, eh! Shenjtëria, shëlbimi është falas”.
Jezusi, shtoi në fund Ati i Shenjtë, e pagoi festën me poshtërimin e Tij, deri në vdekjen në Kryq. E, edhe kjo është falas. Kur të shohim Kryqin, duhet të mendojmë se ai është porta e hyrjes për në festën e Zotit. E nëse hyjmë në të, nuk do të zhgënjehemi, sepse Krishti ka paguar gjithçka për ne. E vetmja gjë, që duhet të bëjmë, është ta hapim zemrën.








All the contents on this site are copyrighted ©.