Me 4 nëntor kalendari kishtar përkujton shën Karl Borromeun. Data e sotme
4 nëntor e kalendarit Kishtar shënon emrin e njërit nga ipeshkvijtë më të mëdhenj
në historinë e Kishës: atë të Karl Borromeut, ipeshkëv i Milanos, njeriut që ishte
i madh në dashuri, i madh në doktrinë, i madh në apostullim, por sidomos, i madh në
përshpirtëri e devocion. Zëri i tij na flet e na kujton se “Shpirtërat fitohen
në gjunjë!”. Fitohen me lutje, me lutje të përvujtë. E shën Karl Borromeu mund të
konsiderohet një nga pushtuesit më të mëdhenj të shpirtrave që njeh historia e Kishës.
Figura e tij spikat në shekullin XVI si model bariu shembullor për bamirësi, doktrinë,
zell apostolik e posaçërisht për lutje. Bir i Gjilbert Borromeut e i Margeritës
së Mediçëve, pronarë të mëdhenj tokash rreth Liqenit të Madh, nip i vetë Papës Piu
IV, Karl Borromeu, i lindur më 1538 - do të kishte mundur të gëzonte fatin e bijve
të dytëlindur në shtëpitë e pasura: të bëhej ushtarak ose të ndiqte karrierën kishtare,
me kamje e të ardhura jetike. Gjithsesi kjo nuk do të ndodhte, sepse Karli do t'i
dhuronte meshtarisë jo vetëm korpin, por edhe gjithë shpirtin e fenë e vet të pakufishme. I
emëruar që në moshën 12 vjeçare komendatar, që përfitonte të ardhurat e Komendës së
Abacisë të Aronës, prej 2. 000 skudash, qe thirrur më pas në Romë nga i ungji që e
zgjodhi Protonoter Apostolik dhe e krijoi kardinal në moshën 22 vjeçare, ndonëse nuk
ishte shuguruar ende meshtar. Pak më vonë do të emërohej Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë
së tij. Ndërsa pas vdekjes së xhaxhait, më 1565, si refuzoi zgjedhjen në fronin e
papnisë, u kthye në Milano, ku zhvilloi një veprimtari të jashtëzakonshme, i rrethuar
nga njerëz të aftë e shembullorë. Gjatë episkopatit të tij, Milano u bë shembull
për të gjitha qytetet tjera italiane. Nga Roma, shenjtorët e reformës katolike shikonin
me admirim e ngushëllim Karl Borromeun, model për të gjithë ipeshkvijtë, që e shkriu
deri në fund jetën për të mirën e Kishës. Por gjithë kjo veprimtari ia shkatërroi
shëndetin. Ndonëse i sëmurë rëndë, vijoi vizitat e tij baritore, pa ngrënë, pa fjetur,
duke u lutur e duke dhënë mësim. E ndoqi deri në frymën e fundit veprimtarinë e të
gjitha veprave, që kishte themeluar. Më 3 nëntor 1584 ipeshkvi titan i Milanos, u
shemb nën peshën e lodhjes e të sëmundjes. Ishte vetëm 46 vjeç. Në lutjen e Engjëllit
të Tënzot të 5 nëntorit 2007, Papa Benedikti XVI foli për figurën e Karl Borromeut
e mes tjerash pohoi: “Edhe një herë Ungjilli na thotë se dashuria, duke u nisur
nga zemra e Zotit e duke vepruar përmes zemrës së njeriut, është forca që përtërin
botën”. Një e vërtetë kjo – sipas Papës Racinger - e cila shkëlqen posaçërisht
në dëshminë e Shenjtit që përkujtohet sot nga Kisha katolike: Karl Borromeut, kryeipeshkëv
i Milanos. Shën Karl Borromeu duke vënë në jetë mësimet e Koncilit të Trentos,
iu kushtua plotësisht Kishës ambroziane: themeloi seminare, ndërtoi spitale, mbrojti
të drejtat e Kishës përballë pushtetarëve të kohës dhe themeloi një kongregatë të
re priftërinjsh shekullarë, Oblatët. Motua e shën Karl Borromeut përmblidhet në një
fjalë të vetme: “Humilitas” – “Përvujtëria” që e shtyu, ashtu si Zotin Jezus,
të mohonte vetveten e të bëhej shërbëtor i të gjithëve.