2014-11-04 14:17:57

Kardinali Mueller, në Kishë, dialogu e puna, në skuadër


“Meqenëse Kisha është shumë e madhe, puna e Kongregatës së Vatikanit për doktrinën e Fesë duhet të zhvillohet detyrimisht në skuadër, do të thotë përmes dialogut, shkëmbimit të mendimeve rreth prirjeve teologjike dhe përmes dëgjimit të të tjerëve”. Siç njofton gazeta Osservatore Romano, këtë nënvizoi kardinali Gerhard Ludwig Mueller, në fjalën e tij, mbajtur në Universitetin e Luvenit mbi temën ‘Një Kishë në dialog, rilexon Koncilin II të Vatikanit’, në kuadrin e bisedimeve ndërkombëtare ‘Omnes Gentes’, organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore e Belgjikës.
Në fjalën e tij, në hapje të punimeve, kardinali Mueller u ndal te “domosdoshmëria e dialogut në Kishë në përgjithësi e në institucionet e saja të veçanta”, duke dhënë si shembull pikërisht aktivitetin e dikasterit që drejton ai, “i cili prej shumëkujt gjykohet si vend i mungesës dhe i refuzimit të dialogut. Duket sikur magjisteri kishtar e bën të pamundur dialogun e vërtetë; sikur evokon vazhdimisht e me këmbëngulje traditën e të vërtetat fesë; mbyll përfundimisht portën e diskutimeve rreth çështjeve që kanë mbetur pezull; i zë frymën dialogut. Në realitet – siguron kardinali Mueller – gjërat nuk qëndrojnë kështu”.
E vërteta është, shpjegon kardinali Mueller, që “çështjet e pezulluara, analizohen vazhdimisht nga përgjegjësit e dosjeve, 40 persona të ardhur prej të gjitha kontinenteve, që diskutojnë rreth tyre me eprorët e Kongregatës, gjatë një mbledhje javore, që mbahet rregullisht. Më tej, rastet më të ndërlikuara u transmetohen 25 konsulentëve, që rregullisht mblidhen për t’i shqyrtuar nga pikëpamja teologjike. Së fundi, vendimet themelore merren nga anëtarët - rreth tridhjetë kardinaj e ipeshkvij - në asamblenë mujore të Kongregatës e pastaj ato i paraqiten Papës, gjatë një audience të rezervuar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.