2014-11-04 14:15:35

Imzot Dal Toso: të krishterët e Sirisë nuk janë vetëm


Të krishterët e Sirisë nuk janë vetëm: kështu pohon sekretari i Këshillit Papnor “Cor Unum”, imzot Giampietro Dal Toso, i sapokthyer nga Damasku, ku mori pjesë në mbledhjen e asamblesë së ipeshkvijve katolikë vendas. Ndërkaq, në terren, në kufirin me Turqinë, përparimi i të ashtuquajturit Shtet Islamik në Kobane kundërshtohet nga milicitë kurde, të mbështetura nga peshmergët irakianë. Në anë të tjera të Sirisë vijojnë ndeshjet ndërmjet frontit shumëngjyrësh të kryengritësve dhe të atij pro-qeveritar. Por fatmirësisht, vijon edhe puna e heshtur e shumë institucioneve katolike e jo vetëm, në vijën e parë të frontit të asistencës humanitare, në një konflikt që zgjat prej mëse tri vjetësh. Na flet vetë imzot Dal Toso:
Këto ditë, në Damask, pashë një normalitet të dukshëm. Është e qartë se nën të gjenden pasojat tragjike të konfliktit, pra, ne flasim për bomba, për armë, për atentate, por duhet të shohim pasojat konkrete të kësaj lufte me armë, që shkakton një gjendje shkatërruese për popullsinë vendase. Disa shifra, për t’u kuptuar: gati gjysma e sirianëve – pra, rreth 10 milion sirianë – jeton jashtë shtëpisë së vet; në këtë pasiguri shoqërore, nuk ka më punë e, si rrjedhojë, nuk funksionon as mekanizmi i bashkëjetesës shoqërore; ka vështirësi edhe për gjetjen e ilaçeve.
Imzot Audo, kryetari i Karitasit Sirian, ka denoncuar shpesh se popullsia po varfërohet gjithnjë e më tepër. A e patë këtë edhe ju?
Po, ka një varfërim të përgjithshëm, për të cilin u binda edhe përmes bisedimeve, që pata. Po përpiqemi ta lehtësojmë situatën përmes organizmave tanë të ndihmës, por edhe përmes institucioneve të tjera jo katolike, si për shembull, agjencitë e OKB-së. Në traditën e Lindjes së Mesme, ipeshkvijtë konsiderohen etër të bashkësisë, prandaj janë të parët, të cilëve u kërkohet ndihmë. Të premten u takova me rregulltarët e Damaskut dhe pashë se secili, sipas karizmës e mundësive, po përpiqet të gjejë mënyrën për t’i ndihmuar njerëzit, kush në fushën e shëndetësisë, kush në fushën e edukimit, kush në fushën e asistencës, kush, thjesht, duke dëgjuar. Kleri dhe rregulltarët janë aty, nuk kanë ikur, nuk i kanë braktisur të krishterët, duke dhënë kështu, një dëshmi të jashtëzakonshme. Gjithashtu, për Kishën në Siri, thirrjet e Papës e lutjet e tij janë thelbësore, janë kuptuar e ndjerë vërtet shumë. Të krishterët sirianë e ndjejnë se Kisha Universale është pranë tyre me ndihmë, me lutje, me dëshmi, me asistencë për të gjithë popullsinë, pa dallim. Shpresojmë, që ky konflikt të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.
Shumë njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre për t’u strehuar edhe në vendet fqinjë, si Jordania, Turqia, Iraku… Është emergjencë edhe në këto vende, apo jo?
Konflikti është zgjeruar nga pikpamja ushtarake e, është e qartë se nga pikpamja humanitare ka pasoja e ndikim të ndërsjellë mes emergjencave. Natyrisht, kriza ndjehet edhe në vendet fqinjë. Ka një numër të konsiderueshëm refugjatësh në Turqi, por sidomos në Jordani e Liban, të cilët kanë popullsi relativisht të vogël. U është dashur të përballojnë një fluks të jashtëzakonshëm refugjatësh, me rrezikun e destabilizimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.