2014-11-04 15:45:32

Bektashinjtë kremtojnë Hashuren, martirizimin e Imam Husejnit


Besimtarët bektashinj festojnë sot ditën e Hashures, një ndër festat më të rëndësishme të kësaj bashkësie fetare. Festa e Harushes kujton martirizimin e Imam Husejnit. Sipas bektashinjve, Imami u rrethua në shkretëtirën e Qerbelasë 1400 vite më parë dhe u vra së bashku me një numër të madh besimtarësh të tjerë për të shpëtuar Fjalën e vërtetë të Zotit dhe Islamin. Festa e Hashures vjen pas 10 ditësh agjërimi gjatë të cilave besimtarët bënë përgatitjen shpirtërore për përkujtimin e kremtimin e kësaj ngjarjeje.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve myslimanë, Baba Edmond Brahimaj uroi të gjithë besimtarët e bëri thirrje të vihen në qendër të jetës dashuria mes njëri-tjetrit, si dhe lutja për më shumë paqe në këtë botë të trazuar nga luftërat. “Me këtë rast uroj dhe bekoj të gjithë besimtarët myslimanë bektashinj në 31 vende të botës, por edhe të të gjithë besimeve të tjera. Të kemi më shumë paqe, besim e dashuri për njëri-tjetrin. Të kthejmë sytë nga Zoti. Për Atë kemi shumë nevojë. Paqja e shpëtimi i Zotit qofshin për të gjithë ata që sakrifikojnë e luftojnë për njerëzimin”, u shpreh Kryegjyshi Botëror, Baba Edmond Brahimaj.







All the contents on this site are copyrighted ©.