2014-11-03 12:14:51

Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot lutet për të vdekurit: vdekja nuk është fjala e fundit


Vdekja nuk është fjala e fundit, sepse “njeriu është paracaktuar për një jetë të pa kufi, që ka rrënjët e veta dhe plotësimin e vet në Hyjin”. Kështu tha Papa Françesku, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, dje, në ditën kur liturgjia e Kishës katolike na ftoi të përkujtonim besimtarët e vdekur. Ati i Shenjtë Bergoglio iu lutë Zotit për viktimat e luftëtareve e të dhunës, për të krishterët e vrarë për shkak të fesë së tyre e për ata njerëz që kanë vdekur “pa ngushëllimin sakramental apo që nuk kanë pasur rastin të pendohen”.
Kështu, më 2 nëntor, në ditën e përkujtimit të gjithë besimtarëve të vdekur, Papa bëri thirrje t’i lutemi Zotit për të gjithë ata “që askush nuk i kujton”:RealAudioMP3
T’i kujtojmë viktimat e luftërave e të dhunës; njerëzit e vegjël të botës të shtypur nga uria e mjerimi. T’i kujtojmë njerëzit anonimë, që pushojnë në varreza të përbashkëta. T’i kujtojmë vëllezërit e motrat e vrarë vetëm pse qenë të krishterë; e të gjithë ata që kanë flijuar jetën për t’u shërbyer të tjerëve. Në mënyrë të veçantë t’ia besojmë Zotit ata persona që na kanë lënë gjatë vitit të fundit”.
E nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, lutja e Papës Françesku u lartua për t’ia besuar Hyjit “njerëzit që e kanë lënë këtë botë për amshim”. Zoti, vijoi Ati i Shenjtë, pret “mbarë njerëzimin, të cilin e ka shëlbuar me gjakun e çmueshëm të Krishtit”, që vdiq për shpërblimin e mëkateve tona:
O Zot mos i shiko varfëritë, mjerimet e dobësitë tona të mëdha, kur do të paraqitemi para gjyqit tënd, për t’u gjykuar për lumturi apo për dënim”.
Papa kërkoj “vështrimin e mëshirshëm” të Zotit, që na shoqëron gjatë “udhës së pastrimit të plotë”, për t’u pranuar në përqafimin e “përdëllimit të pakufishëm”:
Asnjë prej bijve tu të mos humbas në zjarrin e Ferrit, ku nuk mund të ketë më pendim. Ty o Zot, ta besojmë shpirtin e të dashurve tanë, të njerëzve që kanë vdekur pa ngushëllimin sakramental, apo që nuk kanë pasur rastin për t’u penduar as në përfundimin e jetës së tyre”.
E në vazhdim Papa nënvizoi se, dita kushtuar përkujtimit të të vdekurve, është “ngushtë” e lidhur me Solemnitetin e të gjithëve Shenjtorëve, “kështu” si gëzimi edhe lotët – tha Ati i Shenjtë Bergoglio – në Jezu Krishtin gjejnë një sintezë që është themel fesë sonë dhe i shpresës sonë”.
Nga njëra anë, vërtetë, Kisha, shtegtare në histori, gëzohet për ndërmjetësimin e Shenjtorëve e të të Lumturve që mbështesin misionin e kumtimit të Ungjillit; nga ana tjetër, ajo, sikur Jezusi, e ndanë bashkë edhe vajin me ata që vuajnë nga ndarja e njerëzve të dashur, e si Ai dhe falë Atij bënë të jehojë falënderimi ndaj Atit Qiellor që na ka liruar nga pushimi i mëkatit dhe i vdekjes”.
Në këto çaste, tha Papa, shumë njerëz i vizitojnë varrezat, “vend ku të vdekurit pushojnë” në pritje të zgjimit përfundimtar: “ është bukur të mendosh – shtoi ai – që do të jetë personalisht Jezusi Ai që do të na zgjojë”. Jezusi “ka zbuluar se vdekja e trupit është si gjumë nga i cili Ai na zgjon”. Në anën tjetër, tradita e Kishës gjithmonë na ka nxitur të lutemi për të vdekurit, në mënyrë të veçantë përmes kremtimit eukaristik që, shpjegoi Papa, “është ndihma më e mirë shpirtërore që ne mund të japim për shpirtin e tyre, posaçërisht për më të braktisurit. Themeli i lutjes për shpirtin e të vdekurve – vijoi Papa , duke kujtuar mësimet e Koncilit II të Vatikanit – është pikërisht në bashkimin me Korpin Mistik” të Jezu Krishtit.
Përkujtimi i të vdekurve, kujdesi për varrezat dhe lutja për shpirtin e tyre janë dëshmia e besimit plot shpresë, rrënjosur në bindjen se vdekja nuk është fjala e fundit mbi fatin njerëzor, sepse njeriu është paracaktuar për jetën pa kufi, që ka rrënjët e plotësimin e vet në Zotin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.