2014-11-03 17:06:03

Nënë Tereza në një ekspozitë fotografike në Feniks të Arizonës


Përvjetori i sivjetshëm i njëmbëdhjetë i lumturimit të Nënë Terezës, në kryeqytetin e Arizonës, Feniks u shënua me një manifestim, mbajtur më 26 tetor 2014. Kësaj radhe kishte një fizionomi krejtësisht të ndryshme nga ato të viteve të mëparshme. I konceptuar si një ekspozitë me fotografi të Nënës Terezë, manifestimi u përplotësua me fjalime të shkurtra për figurën e Nobelistes shqiptare, me thënie të Nënës Terezë, me pika koreografike e të tjera, shoqëruar gjatë gjithë kohës me muzikë kushtuar kësaj figure të madhe të kombit shqiptar.
Pas parakalimit të të pranishmëve përreth shtatores së Nënës Terezë, manifestimin e hapi profesoresha Jeta Hajra. Fjalën hyrëse shqip e lexoi dr. Elonia Lasku, dentiste, kurse zoti Anton Gegaj në gjuhën angleze. Ndër të tjera, ata theksuan se si Papa Françesku, gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri (më 21 shtator 2014), tregoi episodin kur kishte takuar Nënën Terezë: “Unë admirova forcën dhe vendosmërinë e ndërhyrjeve të saj. Ajo nuk impresionohej nga Asambleja e Ipeshkvijve,” dhe kishte shtuar me humor: “Do të kisha pasur frikë po të kishte qenë Nëna Terezë superiorja ime”.
Meqenëse ky manifestim kryesisht bëhet për brezin e ri (fëmijë e të rinj) që rriten jashtë Atdheut, për t’i frymëzuar e rritur në frymën bamirëse të Nënës Terezë, në emër të tyre foli vajza 13-vjeçare Rina Hamiti, e cila i përshëndeti fëmijët e të rinjtë e, ndër të tjera, tha: “Nëna Terezë më frymëzoj të jem një person më i mirë dhe t’i vë të tjerët para meje. Nëna Terezë do të jetë përgjithmonë hero në zemrat tona”. Zonja Jeta tha se ne rrjedhim nga i njëjti gjak, prandaj ashtu si Nëna jonë e Madhe, secili prej nesh duhet të bëjë diçka për të mirën e njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.