Shenjtorët na ftojnë ta ndjekim Jezusin me gëzim. Ta jetojmë me frymë të krishterë
përkujtimin e të vdekurve.
Solemniteti i të Gjithë Shenjtorëve na fton t’i ndjekim me gëzim gjurmët e Jezusit,
pa ndërlikime e pa mediokritete, duke ecur me përvujtëri në udhën e përsosjes së dashurisë
e duke përjashtuar çdo gjë, që nuk është e denjë për jetën tonë si të krishterë: këtë
na kujton Kisha, në një ditë mahnitëse vjeshte, përplot me vezullimet e të gjitha
ngjyrave të stinës së verdhë. Fjala e Zotit na fton ta jetojnë me frymë të vërtetë
kristiane përkujtimin e besimtarëve të vdekur, që Kisha e kremton, më 2 nëntor, me
vetëdijen se në varre pushon vetëm pjesa e vdekshme e trupit të të dashurve tanë,
në pritje të ringjalljes përfundimtare. Mos të kemi frikë të jemi shenjtorë! Është
shërbimi më i mirë që mund t’u bëjmë vëllezërve tanë! Solemniteti i të Gjithë Shenjtorëve,
e fton Kishën shtegtare mbi tokë të parashijojë festën pa fund të bashkësisë qiellore
e të ringjallë besimin tonë në jetën e pasosur. Kisha na fton ta jetojnë përkujtimin
e të gjithë besimtarëve të vdekur, sipas shpirtit të vërtetë të krishterë, domethënë,
në dritën që buron nga Misteri i Pashkëve. Krishti vdiq e u ngjall e na hapi shtegun
drejt shtëpisë së Atit, drejt Mbretërisë së jetës e të paqes. Kush e ndjek Jezusin
në këtë jetë, pranohet atje, ku Ai na parapriu. Ndërsa bëjmë vizita në varreza,
të mos harrojmë se atje, ndër varre, pushon vetëm pjesa e vdekshme e të dashurve tanë,
që presin ringjalljen përfundimtare. Shpirtrat e tyre – siç na kujton Shkrimi Shenjt
- janë tashmë në duart e Hyjit (Urt 3,1). Prandaj mënyra më e përshtatshme
e më e frytshme është t’i nderojmë duke u lutur për ta, duke kryer vepra feje, shprese
e dashurie. Në bashkim me Flijen Eukaristike, mund të ndërmjetësojmë për shëlbimin
e tyre të pasosur e të provojmë bashkimin më të thellë, në pritje të ditës, kur do
të jemi përsëri bashkë, për të gëzuar, në amshim, Dashurinë që na krijoi e na shpërbleu. Në
mënyrë të veçantë, sa e bukur e sa ngushëlluese është bashkësia e shenjtorëve; realitet,
që i jep një përmasë krejt tjetër gjithë jetës sonë. Nuk jemi kurrë vetëm! Bëjmë
pjesë në një ‘shoqëri’ shpirtërore, në të cilën sundon solidariteti më i thellë: e
mira e secilit, është e mira të gjithëve e, anasjelltas, lumturia e përbashkët rrezaton
mbi secilin. Është një mister që, në një farë mase, mund ta provojmë që në këtë botë,
në familje, ndërmjet miqsh e, posaçërisht, në bashkësinë shpirtërore të Kishës. Na
ndihmoftë Zoja e Bekuar të ecim me shpejtësi në udhën e shenjtërisë e qoftë Nënë e
Mëshirës për shpirtrat e të vdekurve.