Devocioni i vërtetë ndaj Marisë: E vërteta e përkryer
Sot, të dashur dëgjues, përfundon muaji kushtuar Rruzares e, bashkë me të, edhe shfletimi
i veprës “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji
Maria Grignion de Monfort, me të cilin ju kemi njohur gjatë 31 ditëve të tetorit.
Në emisionin e fundit, shenjti jep këshillat e fundit për devocionin ndaj Zojës së
Bekuar.
116. Devocioni ndaj Virgjërës Mari ka edhe shumë sjellje të tjera
të jashtme; e ja, më kryesoret: 1. Të shkruhesh në bashkëvëllazëritë e saj e të
hysh në kongregacionet e saj; 2. të hysh në urdhërat rregulltare themeluar për
nder të saj; 3. të botosh lavdet e saj; 4. të japësh lëmoshë, të agjërosh e
të përulesh shpirtërisht e fizikisht për nder të saj; 5, të mbash me vete simbole,
si Rruzaren, Skapolarin e medalionin e saj 6. të thuash me vëmendje, devocion e
modesti Rruzaren Shenjte, me pesëmbëdhjetë FalemiMëri, për nder të pesëmbëdhjetë mistereve
kryesore të Jezu Krishtit, ose Rruzaren me pesëdhjetë falemiMëri, që është pjesa e
tretë e Rruzares, për nder të pesë mistereve të gazmendit, që janë: lajmërimi i Zojës,
Pasia, Lindja e Krishtit, Pastrimi dhe Rigjetja e Jezu Krishtit në Tempull; ose për
nder të pesë mistereve të mundimeve, që janë agonia e Jezu Krishtit në Kopshtin e
Ullinjve; Rrahja me kamxhik; Kurorëzimi me gjemba; Ngjitja mbi Kalvar ngarkuar me
kryq dhe Kryqëzimi; ose për nder të pesë mistereve të Lumnisë, që janë: Ringjallja
e Jezu Krishtit; të Ngjiturit në qiell, zbritja e Shpirtit Shenjt, ose Rrëshajët,
Të Ngjiturit e Virgjës Mari me shpirt e korp në qiell dhe Kurorëzimi i saj nga Tri
Vetjet e së Shenjtnueshmes Trini. Mund të thuhet edhe një Rruzare me gjashtë ose shtatë
dhjetë falemiMëri, për nder të viteve që besohet se jetoi Virgjëra e shenjtë, ose
rruzarja e Virgjërës së shenjtë, përbërë nga tri Atynë e dymbëdhjetë të falem, për
nder të kurorës së saj me dymbëdhjetë yje apo privilegje, ose oficia e Zojës së Bekuar,
që thuhet në Kishë e që është pranuar universalisht; ose Psalteri i vogël të Zojës,
hartuar nga Shën Bonaventura për nder të saj e që është aq i ëmbël e aq i devoçëm,
sa nuk mund ta lexosh pa u prekur thellë; ose katërmbëdhjetë Atyna e të falemiMëri,
për nder të katërmbëdhjetë gëzimeve; ose ndonjë lutje tjetër, himn a këngë kishe,
si “Të falem Mbretëreshë”, “Nëna e madhnueshme e Shëlbuesit”, “Të falem Mbretëreshë
e Qiellit”, “Mbretëresha e Qiellit”, etj, ose Zemra ime madhëron Zotin, ose, akoma
një nga lutjet e tjera devocionale, me të cilat janë përplot librat; 7. Të këndosh
ose t’i nxitësh të tjerët të këndojnë këngë shpirtërore; 8. të bësh disa gjunjëzime
e përkulje nderimi, duke thënë, për shembull, çdo mëngjes, gjashtëdhjetë ose njëqind
herë: “Të falem Mari, Virgjër besnike”, për të nxjerrë nga Zoti, përmes saj besnikërinë
e hireve të Hyjit gjatë ditës; e në muzg: Të falem Maria, Nëna e mëshirës” për t’i
lypur ndjesë Hyjit përmes saj, për mëkatet e bëra gjatë ditës; 9. të kemi kujdes
për bashkëvëllazëritë e saj, t’ia nderojmë elterët, t’ia kurorëzojmë e t’ia zbukurojmë
figuret; 10. Ta mbartim e t’i nxisim edhe të tjerët ta mbartin figuren e saj në
procesion, ta kemi në trup, si armë e fuqishme kundër djallit; 11. t’i pikturosh
figuret e saj ose t’ia shkruash emrin e ta vendosësh në kishë e në shtëpi, mbi portat
e hyrjes e portat e qytetit, të kishave e të shtëpive; 12. t’i kushtohesh në mënyrë
të posaçme e solemne.