2014-10-30 13:46:51

Papa: djalli nuk është mit, duhet luftuar me armën e së vërtetës


Jeta e krishterë është “luftë” kundër djallit, botës dhe pasioneve të trupit. Kështu tha sot Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Vatikan. Ati i Shenjtë komentoi një pjesë të Letrës së Shën Palit drejtuar Efesianëve, e sidomos dy fjalët e shenjtit “forcë e guxim”. Duken pjesë e gjuhës së ushtarëve, nënvizoi Papa, por përshkruajnë katërcipërisht jetën e krishterë. Kjo jetë, në shoqëri të përhershme me Zotin, duhet mbrojtur, duhet çuar përpara me beteja të njëpasnjëshme, prandaj “forca e guximi” janë mëse të nevojshme. E nuk kemi të bëjmë me një betejë të thjeshtë, theksoi Ati i Shenjtë, është luftë e vazhdueshme kundër tre armiqve: demonit, botës dhe mishit, apo pasioneve tona trupore, që i trashëgojmë nga mëkati i rrjedhshëm. Natyrisht, vuri në dukje Papa, shëlbimi i Jezusit është falas, por duhet ta mbrojmë:RealAudioMP3
“Nga çfarë duhet të mbrohem? Çfarë duhet të bëj? ‘Të vishem me armaturën e Zotit’ thotë shën Pali, pra, ç’është e Zotit na mbron, na ndihmon t’i rezistojmë tundimeve të djallit. A është e qartë? E qartë. Nuk mund të mendohet një jetë shpirtërore, një jetë e krishterë, pa rezistencën ndaj tundimeve, pa luftën kundër djallit, pa veshur këtë armaturë të Zotit, që na jep forcë e na mbron”.
Shën Pali Apostull, vijoi Papa, nënvizon se beteja jonë nuk është kundër gjërave të vogla, por kundër “principatave e pushteteve”, pra kundër djallit e të tijve:
“Por këtë brez – e shumë të tjerë – e kanë bërë të besojë se djalli është mit, figurë, ide, ideja e së keqes. Por djalli ekziston e ne duhet të luftojmë kundër tij. E thotë shën Pali, nuk e them unë! Fjala e Zotit e thotë. Por ne nuk jemi shumë të bindur për këtë. E pastaj, shën Pali thotë edhe si është kjo armaturë e Zotit, cilat janë armaturat e ndryshme, që përbëjnë këtë armaturë të madhe të Hyjit. E ai thotë: ‘Qëndroni pra, qëndroni, ngjeshini ijët me të vërtetën’. Kjo është armatura e Zotit: e vërteta”.
Djalli, vijoi më tej Ati i Shenjtë, është gënjeshtar, është ati i gënjeshtarëve, ati i mashtrimit. E së bashku me shën Palin, edhe ne duhet të ngjeshim armët e së vërtetës, të përdorim mburojën e drejtësisë, përkrenaren e shëlbimit e shpatën e Shpirtit Shenjt, pra, fenë, sepse pa të nuk mund të mbrohemi. Djalli, nënvizoi Papa Françesku, nuk përdor lule kundër nesh, por shigjeta të përflakura. E së fundi, ftoi të lutemi vazhdimisht, të rrimë zgjuar e gjithnjë gati:
“Jeta është milici. Jeta e krishterë është luftë, një luftë shumë e bukur, sepse kur Zoti fiton në çdo hap të jetës sonë, na dhuron gëzim, lumturi të madhe: atë gëzim të brendshëm, që Zoti e ka fituar me shëlbimin falas për të gjithë ne. Eh, të gjithë jemi pak dembelë në këtë luftë, apo jo, dhe lejojmë të na marrë me vete pasioni, ose ndonjë tundim. Kjo ndodh, sepse jemi të gjithë mëkatarë! Por mos u çkurajoni! Guxim e forcë, sepse Zoti është me ne”.








All the contents on this site are copyrighted ©.