Imzot Auza: ka nga ata, që duan ta kufizojnë lirinë e ndërgjegjes
Respekti për jetën që nga zënia deri në vdekjen natyrore, zhdukja e dënimit me vdekje,
liria e fesë dhe e ndërgjegjes, janë gjithnjë e më tepër në rrezik: këto ishin temat
e fjalës së vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në OKB. Imzot Bernardito
Auza, para asamblesë së përgjithshme në Pallatin e Qelqit në Nju Jork. Imzot Auza
shprehu kënaqësinë për zvogëlimin e numrit të dënimeve me vdekje në të gjithë botën
e kujtoi se Papa Françesku e ka quajtur dënimin me burgim të përjetshëm “dënim me
vdekje të kamufluar”, prandaj kërkoi edhe heqjen e këtij dënimi nga ligjet botërore.
Më pas, vuri në dukje kufizimin e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë në
shumë anë të botës, sidomos persekutimin kundër pakicave fetare. Ndërsa, nga njëra
anë, të krishterët duhet të luftojnë për të mbijetuar nga persekutimi i vazhdueshëm,
nga ana tjetër, sidomos në botën perëndimore, liria fetare has në pengesa juridike
e në sjellje diskriminuese, që e lënë fenë vetëm në sferën private, pa lejuar shprehjen
publike të besimit fetar. “Një botë, që e respekton vërtet lirinë e fesë – nënvizoi
imzot Auza – duhet të shkojë përtej tolerancës së thjeshtë”. Temë tjetër, që trajtoi
vëzhguesi i Vatikanit, ishte ajo e bujqësisë dhe e ushqimit. Ndërsa miliona vetë vdesin
nga uria, theksoi imzot Auza, në anë të tjera të botës, çdo ditë, hidhen tonelata
me ushqime. Kostoja njerëzore dhe shoqëroro-ekonomike e urisë, vuri në dukje ai, është
e jashtëzakonshme, prandaj zhdukja e urisë nuk është vetëm përparësi, por edhe detyrë
morale.