2014-10-29 15:40:03

Në fshatin Leskoc të Klinës, një qendër e re Karitasi në shërbim të të varfërve


Kisha katolike e Kosovës, me ndihmën e Karitasit italian Umbria – Toscana, realizoi një qendër e re Karitasi në fshatin Leskoc të Klinës. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë ipeshkvi i vendit, imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi i Karitasit Umbria –Toscana imzot Benedetto e personalitetë tjera. Më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Mrikë Ibrajt.....RealAudioMP3
Shumë qytetarë të Anadrinisë me 27 tetor u mblodhën në fshatin Leskoc për t’ju bashkuar gëzimit me rastin e përurimit të një qendre të re të KARITAS-it Italian ‘Umbria Toskana’, më në krye imzot Benedetto, mori pjesë edhe KFOR-i Italian. Përurimin e bënë ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji bashkë me ipeshkvin mysafir italian imzot Benedetto e kryetarin e Komunës së Klinës, Sokol Bashota.
Imzot Dodë Gjergji, tha me këtë rast se nëse mbretëron paqja në zemrat tona e në rrethin tonë, atëherë ne kemi aftësi për të bërë diçka të mirë. “Ne falënderojmë Zotin për punën dhe ndihmën e miqve tanë që kanë bërë dhe po bëjnë këtu në Kosovë në ngritjen e mirëqenies së këtij populli. Falënderojmë po ashtu edhe dashamirët që janë këtu, ipeshkvin nga Italia, Imzot Benedetto e miqtë të tjerë, që kanë kontribuar përmes organizmit të CARITAS-it, në Radulloc, e tani edhe në Leskoc, në ndërtimin e këtij objekti madhështor. Në mënyrë të veçantë, falënderoj kryetarin e Komunës së Klinës, Sokol Bashotën, për mbështetje morale e materiale për këtë shoqatë dhe në përgjithësi për Kishën katolike në Klinë”, tha imzot Dodë Gjergji, duke shtuar se dashuria në mes njëri-tjetrit ekziston, edhe pse ndonjëherë ne nuk jemi të vetëdijshëm për këtë vlerë, e këtë më së miri e ka treguar Nënë Tereza, e cila gjithë njerëzimit i ka treguar se ne, populli shqiptar, edhe pse i kemi mundësitë e vogla për t’ju ndihmuar të tjerëve, dimë dhe mundemi të sakrifikohemi për ata që janë nevojtarë. Ai u bëri thirrje të gjithë njerëzve vullnetmirë që të kontribuojnë për këtë objekt madhështor që ka një mision humanitar.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, u shpreh me fjalë miradije për ndihmesën e KARITAS-it Italian, i cili hap mundësinë e përkujdesjes se familjeve që trokasin në këtë derë, e sidomos për fëmijët me nevoja të veçanta të Komunës së Klinës. Kryetari Bashota, udhëheqësin e KARITAS-it Italian, Masimo Mazzalin e ka nderuar me mirënjohje me motivacion: “Për kontributin e dhënë dhe bashkëpunimin e mirë të CARITAS-it me Komunën e Klinës” që siç ka thënë me devotshmëri po e ndjek shembullin e të madhërishmes, të Lumes Nënë Terezë.
Gjithnjë nga Kartasi i Kosovës, u organizua një tryezë paqeje në Prishtinë
‘Pa komunikim s’mund të ketë pajtim dhe paqe’, kjo është motoja e një tryeze të organizuar me 27 tetor në Prishtinë nga Karitasi i Kosovës, ku morën pjesë ambasadorë të akredituar në Kosovë dhe shoqëria civile. U tha me këtë rast se, Shteti i Kosovës ka arritur të krijojë një lloj paqeje në vend, por ende ka shumë punë për t’u bërë. Komunitetet në Kosovë kanë më shumë nevojë të komunikojnë ndërmjet vete dhe ta njohin gjuhën e njëri-tjetrit, e sidomos brezat e rinjë. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jan Cliff, vlerësoi se nëse nuk ka komunikim nuk mund të zhvillohen iniciativat për pajtim dhe paqe. “Ne e kemi një lloj paqeje në Kosovë, në kuptimin e mungesës së dhunës ushtarake, paraushtarake, por nuk mund të them se kemi shkuar shumë përpara me pajtim. Ambasada ime e shumë të tjerë në këtë sallë janë të përfshirë në iniciativa për t’i bërë komunitetet bashkë, për të ndihmuar me procesin e pajtimit, por më duhet të them se ende kemi për të bërë një rrugëtim të gjatë”, tha Cliff, duke shtuar se duhet vazhduar bisedimet Prishtinë – Beograd. Ndërsa ambasadori i Norvegjisë Jan Braathu theksoi se ajo që i ndodh një komuniteti mund të reflektojë edhe në komunitetin tjetër. ‘‘Në esencë të gjithë njerëzit pak a shumë veprojnë njësoj, pavarësisht a jemi në rajon, apo kemi të bëjmë me norvegjezët, suedezët, shqiptarët apo serbët. Duhet të kemi një humanitet të përbashkët”, u shpreh ai.
Për të dy këta ambasadorë është e rëndësishme që Kosova mos të ndjekë rrugën e Bosnje Hercegovinës.
Drejtori i Karitasit të Kosovës, don Viktor Sopi, nënvizoi se, çdoherë bëjnë përpjekje t’i afrojnë njerëzit ndërmjet vete dhe se institucioni që ai e drejton ka për qëllim të vë në pah se çdo njëri ka të drejtë të jetojë i lirë dhe se dinjiteti i secilit është i pacenueshëm. “Programet tona që ngerthejnë në vetvete vetëdijesimin e njeriut, arsimimin dhe socializmin janë të vazhdueshme e të ndryshme, por me karakter të njëjtë, kanë për qëllim ndërtimin e paqes, pra Caritasi mundohet të jetë në shërbim të vendit”, tha don Viktor Sopi. Ai bëri me dije edhe projektin tjetër që stimulon fuqizimin e gruas në shoqërinë tone, duke shtuar se Caritas Kosova organizoi këtë tryezë me qëllim që të ketë një qasje më kritike dhe më të plotë nga faktorët e ndryshëm që veprojnë në Kosovë mbi procesin e paqes dhe pajtimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.