2014-10-28 15:59:34

Mesazh i Papës për Shoqatën ndërkombëtare të Ekzorcistëve


Ekzorcistët, në shërbimin e tyre të veçantë, në bashkim me ipeshkvijtë, të tregojnë dashurinë e Kishës për të gjithë ata, që vuajnë për shkak të të Keqit. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin, që i dërgon kryetarit të Shoqatës Ndërkombëtare të Ekzorcistëve, atë Francesco Bamonte. Këtyre ditëve, anëtarët e shoqatës janë mbledhur në Romë për kuvendin e tyre të parë, pas njohjes juridike nga ana e Kongregatës për Klerin, qershorin e kaluar. 300 ekzorcistë nga e gjithë bota folën për përhapjen dhe pasojat e okultizmit, satanizmit dhe ezoterizmit. Intervistuam për këtë psikiatrin italian Valter Cascioli, zëdhënës zyrtar i Shoqatës:
Këto praktika ua hapin rrugën veprimtarive demoniake të jashtëzakonshme. Sigurisht, numri i njerëzve që marrin pjesë në këto praktika, me dëme të rënda shoqërore, psikologjike, shpirtërore e morale, është në rritje e kjo na shqetëson, sepse, si pasojë, kemi edhe rritjen e veprimtarisë demoniake të jashtëzakonshme, sidomos ngacmimet, ankthet e mbi të gjitha, pushtimin e shpirtit nga ana e djallit.
A mos nënvleftësohen rreziqet që vijnë nga ushtrimi i këtyre praktikave?
Nganjëherë, po. Nganjëherë, vetë veprimtaria demoniake e zakonshme – si tundimet – nuk merret shumë parasysh nga ata, që kanë fe të dobët. Ne këshillojmë më shumë vigjilencë. Jetojmë në një çast historik veçanërisht kritik, kur nxitimi, mbetja në sipërfaqen e gjërave, individualizmi i tejskajshëm, shekullarizimi, duket sikur mbizotërojnë në shoqëri. Lufta kundër së keqes e kundër dreqit të mallkuar po kthehet gjithnjë e më tepër në emergjencë. Kjo varet, përveçse nga veprimi i drejtpërdrejtë i armikut të Zotit, edhe nga dobësimi i fesë, mosrespektimi i rregullave, pra mungesa e vlerave, dhe nga relativizmi kulturor, tashmë tepër i përhapur. Nga ana tjetër, bombardohemi me mesazhe mediatike, me libra, programe televizive e kinematografike, që në një farë mënyre, në vazhdën e sensacionalizmit e të spektakularizimit, i nxisin, sidomos brezat e rinj, të merren me okultizëm, satanizëm e nganjëherë, edhe t’i praktikojnë.
Nga përvoja e ekzorcistëve, çfarë sulmon më shumë djalli sot?
Dinakëria e tij shprehet në faktin se na bën të besojmë se nuk ekziston. Laicizmi i përhapur në shoqërinë tonë nuk na ndihmon. Problemet janë gjithnjë po ato: dobësimi i fesë, por të bën përshtypje ndikimi i këtyre fenomeneve të veprimtarisë demoniake të jashtëzakonshme sidomos mbi brezat e rinj e mbi familjet. E dimë se ai që përçan – djalli – jo vetëm na ndan nga Zoti, por ndan njerëzit, familjet; na ndan edhe nga realiteti, sepse, nganjëherë, ndeshemi me gjendje tjetërsimi mendor, pasojë e veprimtarisë demoniake të jashtëzakonshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.