2014-10-28 16:09:48

Ju kumtojmë lajmin e mirë


Në rubrikën “Ju kumtojmë lajmin e mirë”, jemi gjithnjë në kapitullin e gjashtë të Ungjillit sipas Markut, sot vargjet 45-52. Jezusi, sapo ka ndarë bukën me turmën, që kishte rendur tek ai, i urdhëron nxënësit të shkojnë me barkë në bregun tjetër, ndarsa ai vetë ndalet për t’u përshëndetur me njerëzit e për t’u lutur mbi mal. Marku thekson se Jezusi, “sapo u nda nga turma, u ngjit mbi mal për t’u lutur” (v. 56). RealAudioMP3
Bien në sy dy gjëra nga ky shënim i ungjilltarit: a) së pari, fakti se Jezusi, edhe pse u kishte thënë apostujve t’i jepnin turmës të hante, i urdhëron nxënësit të shkojnë në bregun tjetër, ndërsa vetë ndalet me njerëzit. Kjo tregon se Kisha, të cilën Jezusi e thërret për të shërbyer në botë, duhet të dijë t’i lërë vendin Jezusit, sepse ai dëshiron të rrijë vetë me njerëzit. Në të vërtetë, Kisha e shërben Eukaristinë, por në eukaristi është Jezusi vetë ai që rri me çdo njeri. b) Së dyti, lutja e Jezusit. Lutja nuk duhet kuptuar gjithmonë si kërkim i një ndërhyrjeje të Hyjit për të zgjidhur situatat e pamundura njerëzore. Ajo është shoqëri me Hyjin, përjetim i thellë e lumturues i miqësisë me Atin.
Në marrëdhëniët e veta brenda Trinisë së shenjtë, Jezusi jeton dashurinë e plotë, e cila gufon dhe derdhet mbi botën me tërë begatinë e saj. Shumimi i bukëve është shprehje e dashurisë gufuese të Hyjit, që do të përjetësohet në Eukaristi.
Qëndrimi i Jezusit në lutje me Atin, nuk e largon atë nga të vetët. Në marrëdhënite trinitare përfshihen të gjithë njerëzit. Pikërisht në lutje, Jezusi sheh se nxënësit ishin “të gjithë të lodhur nga vozitja, sepse kishin erën kundër” (v. 48). Edhe pse fizikisht nuk është me Kishën në varkë, Jezusi është i pranishëm në Kishë me anë të lutjes se tij. Shumë herë ne i japim rëndësi lutjes sonë, me të cilën synojmë të bëjmë të pranishëm Zotin në jetën e përditshme dhe harrojmë gjënë më të rëndësishme: ai është i pranishën në Kishë me anë të lutjes së vet, që nuk mbaron kurrë. Ai e njeh lodhjen e Kishës, sepse njeh mirë erën që fryn kundër saj, në detin e trazuar të historisë, prandaj shkon drejt saj “duke ecur mbi këtë det (v. 48).
Kisha, pa Jezusin, nuk mund të bëjë asgjë, as për të shuar urinë e botës, as për t’u përballur me erën, që fryn kundër. Megjithatë, edhe pse e di se nuk mund të bëjë shumë me pesë bukët e dy peshqit, edhe pse e ndjen lodhjen e vozitjes kundër erës, i tregon herë pas here shenjat e mosnjehjes së Jezusit. Në këto vargje të Ungjillit sipas Markut, kur e shohin Jezusin duke ecur mbi ujë, thonë: “është fantazmë” (v. 49). Vetëm kur Jezusi e qetëson stuhinë, të gjithë mahniten, “sepse nuk e kishin kuptuar punën e bukëve, duke qenë se e kishin zemrën gur” (v. 52). Me këtë shënim, Marku na tregon se mrekullia e vërtetë e Jezusit nuk është qetësimi i stuhisë, por dhurata e eukaristisë. Me anë të saj ai është i pranishëm në detin e trazuar të historisë, ku lundron Kisha, dhe bëhet ushqim për urinë e të gjithë njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.