2014-10-27 12:23:34

Papa: fjalët zbulojnë nëse jemi të krishterë të dritës, të errësirës, apo gri


Shqyrtimi i fjalëve që themi na bën të kuptojmë nëse jemi të krishterë të dritës, të errësirës, apo të grisë, pra as ashtu, as kështu. Gjatë meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku vuri në dukje se njerëzit njihen nga fjalët që thonë. Shën Pali Apostull, mori si shembull Ati i Shenjtë, bën katekizëm mbi fjalët. Kemi katër fjalë për të kuptuar kush janë bijtë e errësirës: RealAudioMP3
“A është fjalë hipokrite? Pak ashtu e pak kështu, për ta pasur mirë me të gjithë? A është fjalë boshe, pa thelb, plot me zbrazëti? A është fjalë vulgare, e kësaj bote? A është fjalë e ndyrë, e pahijshme? Këto katër fjalë nuk janë të bijve të dritës, nuk vijnë nga Shpirti Shenjt, nuk vijnë nga Jezusi, nuk janë fjalë ungjillore… kjo mënyrë të foluri, gjithnjë për gjëra të ndyra, ose të kësaj bote, ose për gjëra boshe apo hipokrite”.
Por cila është fjala e shenjtorëve, pra, e bijve të dritës? E Papa i referohet sërish Apostullit të Popujve, në Letrën drejtuar Efesianëve:
“E thotë shën Pali: ‘Përngjajini Hyjit: jetoni në dashuri; jetoni në mirësi, jetoni me butësi’. Kush ecën kështu… ‘Mos jini të paarsyeshëm – thotë shën Pali – faleni njëri-tjetrin ashtu si Zoti ju ka falur ju, në Krishtin. Përngjajini pra Zotit e jetoni në dashuri’, domethënë, jetoni në mëshirë, në falje, në bamirësi. E kjo është fjala e një biri të dritës”.
Ka të krishterë që shndrisin, vërejti Ati i Shenjtë, janë plot dritë e përpiqen t’i shërbejnë Hyjit me të. Pastaj, ka të krishterë të errësirës, që jetojnë në mëkat, larg Zotit e përdorin katër fjalët e të Keqit. Por ka një grup të tretë të krishterësh, tha Papa Françesku, që nuk janë as të shndritshëm, as të errët:
“Janë të krishterët gri. E këta të krishterë gri, një herë janë me një palë, një herë me tjetrën. Njerëzit thonë për ta: ‘Po ky është me Zotin, a me djallin?’ Eh? Gjithnjë, as ashtu, as kështu. Janë të vakët. Nuk janë as të ndritshëm, as të errët. Por këta, Zoti nuk i do. Në Librin e Zbulesës, Zoti u thotë këtyre të krishterëve gri: ‘E jo, ti s’je as i ftohtë, as i nxehtë. Lum si ti po të ishe i ftohtë, ose i nxehtë. Pikërisht se je i vakët – kështu, ngjyrë gri – jam gati të të vjell nga goja ime’. Zoti është i ashpër me të krishterët gri. ‘Po unë jam i krishterë, por pa e tepruar!’ thonë, e bëjnë keq, sepse dëshmia e tyre e krishterë, në fund të fundit, mbjell konfuzion, është dëshmi negative”.
Mos ta lemë veten të gënjehemi nga fjalët boshe, kërkoi Papa. Dëgjojmë shumë prej tyre, disa madje, thuhen mjaft mirë, por s’kanë asgjë brenda. Ati i Shenjtë këshilloi të sillemi si bij të dritës e të kemi kujdes në fjalët që themi. T’i shqyrtojmë mirë, për të qenë të sigurtë se janë fjalë të bijve të dritës e na ndihmojnë të bëjmë një hap përpara drejt Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.