2014-10-27 11:15:53

Papa, lëvizjes Schoenstatt: familja, kurrë kaq e sulmuar sa sot


Duhet shoqëruar familja, duhet mbrojtur martesa, pasi s’kanë qenë kurrë më të sulmuara se sot. Ky, reflektimi i Papës Françesku për lëvizjen apostolike Schoenstatt, të cilën e priti në Sallën Pali VI, me rastin e 100-vjetorit të themelimit. Kujtojmë se lëvizja i hodhi hapat e para në Gjermani, në tetor 1914, e udhëhequr nga atë Jozef Kentenich. 7.500 anëtarët e pranishëm në takimin me Atin e Shenjtë, që përfaqësonin 50 vende të botës, dialoguan lirisht me të, dëshmuan për jetën e tyre familjare dhe projektuan video.RealAudioMP3
I pyetur nga të pranishmit, Papa Françesku iu rikthye temave të Sinodit të jashtëzakonshëm për Familjen, duke vënë në dukje se, në botën e sotme, familja konsiderohet si të ishte ndonjë shoqatë:
“Që familja të goditet, që familja të vihet në shënjestër e që familja të bastardohet, qenkësh e lejueshme… sepse qenkësh një mënyrë për t’u shoqëruar… Mund të quhet familje gjithçka, apo jo? Sa familje janë të ndara, sa martesa të shkatërruara, sa relativizëm në konceptimin e Sakramentit të Martesës. Në këtë çast, nga pikpamja sociologjike dhe ajo e vlerave njerëzore, siç është Sakramenti katolik, Sakramenti i krishterë, kemi një krizë të familjes, krizë, sepse e godasin nga të gjitha anët dhe nuk ia mjekojnë plagët!”
Ati i Shenjtë ftoi të reflektojmë për realitetin bashkohor, në të cilin, Sakramenti i martesës zhvlerësohet e kthehet në një faktor shoqëror, duke e zhveshur nga bashkimi me Zotin:
“Ajo që po na propozojnë nuk është martesë, është shoqatë. Por nuk është martesë, ama! Është e nevojshme t’i themi gjërat qartë e këtë duhet ta themi! Puna baritore ndihmon, por në këtë rast, duhet të jetë - si të thuash – ‘sy për sy’. Pra, duhen shoqëruar njerëzit e kjo do të thotë edhe humbje kohe. Mjeshtri i madh i humbjes së kohës është Jezusi! Humbi kohë duke shoqëruar, që të piqeshin ndërgjegjet, duke mjekuar plagët, duke mësuar… Të shoqërosh do të thotë të bësh një copë udhë së bashku”.
Ati i Shenjtë kërkoi që të fejuarit të bëjnë një përgatitje më të thellë për martesë, në mënyrë që ta kuptojnë atë “përgjithmonë”, të cilën ia premtojnë njëri-tjetrit gjatë meshës e të jenë të vetëdijshëm se do të vihet në diskutim nga kultura e së përkohshmes. Duhet të dinë si të sillen para dramave familjare, shkatërrimit të familjeve, fëmijëve që vuajnë për shkak të ndarjes së prindërve, por edhe para llojeve të reja të bashkëjetesës:
“Janë forma të reja, krejtësisht shkatërruese e kufizuese të madhështisë së dashurisë martesore. Ka shumë bashkëjetesa, ndarje e divorce: prandaj, çelësi për t’i ndihmuar njerëzit në marrëdhëniet ‘sy më sy’ është shoqërimi i tyre pa bërë prozelitizëm, sepse ky i fundit nuk sjell asnjë rezultat: shoqërimi, me durim”.
Pastaj, reflektimi i Papës Françesku, i nxitur nga pyetjet, vazhdoi me 360 gradë. Kisha e misionit; dalja në rrugë pa frikë për t’u kujdesur për shpirtrat nga afër; lutja që vë në qendër Krishtin, por të ndihmon t’i shohësh gjërat nga periferia; përtëritja e konferencave ipeshkvnore, pa pasur nevojë për një organizim të përsosur, por për më shumë zell apostolik: këto ishin argumentet e Atit të Shenjtë, i cili e ftoi Kishën të risohet vazhdimisht:
“Të risohet Kisha nuk do të thotë të bëhet një ndryshim aty, një ndryshim këtu… Kjo duhet bërë, sepse jeta ndryshon gjithnjë, prandaj është e nevojshme të përshtatemi. Por, ky nuk është risim. Edhe këtu, në publik, mund të them: ‘Duhet risuar Kuria’; ‘Po risohet Kuria; edhe Bankën e Vatikanit kemi nevojë ta përtërijmë’. Por të gjitha këto janë rinovime të jashtme: e megjithatë, për to flasin çdo ditë… Është e çuditshme, askush nuk flet për përtëritjen e zemrës. Nuk kuptojnë asgjë se ç’do të thotë vërtet përtëritje e zemrës: që është shenjtërimi, risimi i zemrës së secilit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.