Françesku: Benedikti XVI, “Papë i madh”. Shkenca të jetë për të gjithë
“Papë i madh”: me këtë shprehje plot mirënjohje e dashuri, Papa Françesku përmendi
paraardhësin e tij, Benediktin XVI, busti i të cilit u përurua sot në selinë e Akademisë
Papnore të Shkencave. Njeri me inteligjencë të madhe, studiues i apasionuar, që me
anë të studimit nuk është larguar, përkundrazi, i ka përmirësuar njohuritë mbi gjërat
e shpirtit. Me admirim, Françesku foli për Papën e nderit si për një njeri, që diti
të bashkojë fenë me arsyen: “Benedikti
XVI: një Papë i madh. I madh për forcën e thellësinë e inteligjencës së tij, i madh
për kontributin e rëndësishëm në fushën e teologjisë, i madh për dashurinë e tij për
Kishën e njerëzit, i madh për virtytet e fenë e tij. Sigurisht që për të nuk mund
të thuhet kurrë se studimi e shkenca ia thanë shpirtin e dashurinë për Zotin e të
afërmin, përkundrazi, shkenca, urtia e lutja ia bënë mal zemrën e shpirtin”. Dashuria
për shkencën, përveç dashurisë së mirënjohur për teologjinë e filozofinë, e nxitën
Benediktin XVI ta marrë gjithnjë në konsideratë Akademinë e Shkencave, duke u bërë
papa i parë që ftoi kryetarin e saj në punimet e një Sinodi, në atë për ungjillëzimin
e ri, pasi ishte i vetëdijshëm për rëndësinë e shkencës në kulturën bashkohore. Edhe
Papa Françesku, duke u folur anëtarëve të Akademisë, që këto ditë janë mbledhur në
Asamblenë e tyre të Përgjithshme, i inkurajoi të punojnë për atë përparim shkencor,
që ndikon në përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve, sidomos të më të varfërve.
I ftoi ta shohin Zotin e Krishtin në natyrë, në procesin e Krijimit, me anë të të
cilit Zoti nuk sillet me botën si “demiurg apo magjistar”, por u jep të gjitha gjërave
autonominë e nevojshme për t’u zhvilluar, duke siguruar praninë dhe ndihmën e Tij
të përhershme: “Fillimi i botës nuk është vepër e kaosit, që e ka zanafillën
nga dikush tjetër, por rrjedh drejtpërdrejt nga një Parim suprem, i cili krijon për
hir të dashurisë. Big Bang-u, që sot mendohet të jetë fillimi i botës, nuk i kundërvihet
ndërhyrjes së Krijuesit hyjnor, por e kërkon atë. Evolucioni i natyrës nuk bie ndesh
me idenë e Krijimit, sepse evolucioni presupozon krijimin e qenieve, që zhvillohen”. E
kur mbërrin tek njeriu, vijoi Papa Françesku, Zoti bën edhe më shumë. E bën përgjegjës
për krijimin. Autonomia e njeriut është e ndryshme nga ajo e natyrës. Është “liri”
e njeriu është i lirë edhe të mos e respektojë planin hyjnor: “Është e vërtetë
edhe se veprimi i njeriut, kur liria e tij kuptohet si autonomi – pra nuk është liri,
por autonomi – e shkatërron krijimin e njeriu zë vendin e Krijuesit. E ky është mëkat
i madh kundër Zotit Krijues”. Shkencëtari, sidomos ai i krishterë, përfundoi
Papa Françesku, ngre pikëpyetje mbi të ardhmen e njerëzimit e të tokës dhe, si njeri
i lirë e i përgjegjshëm, bën ç’është e mundur ta përgatisë, ta mbrojë e të eliminojë
rreziqet kundër ambientit, si atij natyror, ashtu edhe atij njerëzor: “Shkencëtari
duhet të frymëzohet nga besimi se natyra fsheh, në mekanizmat e saj evolutive, mundësi,
të cilat duhen zbuluar me inteligjencë e liri për t’u zbatuar, që të arrihet zhvillimi
i parashikuar nga plani i Krijuesit. Atëherë, sado i kufizuar, veprimi i njeriut merr
pjesë në fuqinë e Zotit dhe është në gjendje të ndërtojë një botë të përshtatshme
për jetën e tij të dyfishtë, trupore dhe shpirtërore; është në gjendje të ndërtojë
një botë njerëzore për të gjithë njerëzit e jo për një grup, apo për një klasë të
privilegjuar”.