2014-10-25 18:08:52

Duke kujtuar Sinodin/Kardinali Ravazi: para së gjithash, Kisha është shtëpi mikpritëse


Një javë pas përfundimit të Sinodit të jashtëzakonshëm për Familjen, mjetet e komunikimit vazhdojnë të flasin për temat e diskutuara në asamblenë kishtare.RealAudioMP3 Për një bilanc të tij, ftuam para mikrofonit tonë një nga pjesëmarrësit, i cili kryesoi edhe komisionin, që hartoi Mesazhin e Sinodit për familjet e gjithë botës. Është fjala për kreun e Këshillit Papnor të Kulturës, kardinalin Gianfranco Ravasi. Ta dëgjojmë:
Po, për mua ky ishte Sinodi i tretë e sigurisht, përshtypja e të gjithë etërve sinodalë ishte edhe imja: gjallëria. Ky tipar nuk është shprehje e ndonjë atmosfere apo qëndrimi të jashtëm. Ishte vërtet edhe shprehja e gjendjes së brendshme shpirtërore: ajo liri e ajo gjallëri tregonin edhe se tema ishte, nga njëra anë, interesante, e nga ana tjetër, se asambleja e ndjente si të vetën.
Mesazhi përfundimtar i Sinodit pohon se Krishti e deshi Kishën, shtëpi me dyer gjithnjë të hapura, gjithnjë mikpritëse, pa përjashtuar askënd...
Po, besoj se kjo mund të konsiderohet një lloj boshti kryesor i Sinodit. Edhe sepse mesazhi fillon me një imazh, me një skenë të paraqitur nga një varg i Librit të Zbulesës, ku Krishti i drejtohet Kishës së Laodiçesë në Azinë e Vogël, e cila, për shumë aspekte, është e ngjashme me shoqërinë bashkohore. Shihet në të indiferenca, mbetja në sipërfaqen e gjërave e, madje edhe vulgariteti. Në këtë varg thuhet se Krishti kalon nëpër rrugët e qytetit, troket në portë e, një familje, lirisht, i hap derën. Krishti ulet në tryezë e darkon me anëtarët e kësaj familjeje. Ky është imazh domethënës për Kishën. Kisha duhet të jetë gjithnjë gati ta presë Krishtin e të mirëpresë edhe të gjithë ata, që ulen në tryezën e një shtëpie, me gjithë ndryshimet ndërmjet tyre, sepse Kisha është para së gjithash, shtëpi. Kaq e vërtetë është kjo, sa në fillim, familja ishte vendi ku kremtohej Eukaristia.
Relacioni përfundimtar i Sinodit sugjeron të vihen në dukje elementet pozitive, të pranishme në martesat civile e deri në një farë mase, edhe në bashkëjetesat. Kjo është risi e madhe...
Siç na mëson teologjia e lashtë, që në Mesjetë, “e mbinatyrshmja”, Hiri, nuk është diçka e ndarë nga natyra. Dy njerëz, që impenjohen seriozisht përmes një martese civile, pavarësisht se jo kishtare, ose përmes bashkëjetesës së qëndrueshme, dëshmojnë një vlerë natyrore e kjo vlerë nuk mund të injorohet. Madje, është bazë mbi të cilën mund të ngrihet bukuria, epërsia, e mbinatyrshmja e Hirit të Krishtit dhe e pranimit të Tij përmes fesë.
Sipas jush, cili është imazhi i fesë, që i dha botës ky Sinod?
Duhet të them se relacionet që kemi pasur, edhe në shtypin e huaj, kanë qenë shumë të kujdesshme e deri në një farë mase, edhe besnike. Në fund të fundit, imazhi i Kishës që doli nga Sinodi është ai i Kishës në dialog, pavarësisht nga vështirësitë që has, sepse edhe Kisha është e mishëruar, është brenda historisë së kësaj bote. Vetë Krishti, brenda mesazhit të Tij, ka edhe elemente që lidheshin me kontekstin ku ndodhej. Unë mendoj se, edhe në sytë e jo besimtarëve, Kisha tregoi një gjallëri e një fytyrë, që i nxit ata për ta ndjekur më shumë, pavarësisht se rezultatet nuk ishin kaq univoke, kaq të kristalizuara.








All the contents on this site are copyrighted ©.