2014-10-23 13:55:29

Françesku në meshën e mëngjesit: nuk mund të jemi të krishterë, pa hirin e Shpirtit Shenjt


“Nuk mund të jemi të krishterë, pa hirin e Shpirtit Shenjt”, që na jep forcën për të dashur: kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Në qendër të homelisë së Atit të Shenjtë, Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Efesianëve, në të cilën shenjti përshkruan përvojën e tij të takimit me Jezusin, e cila e nxiti të linte gjithçka, sepse “ishte dashuruar me Krishtin” – këto janë fjalët, që përdor. Papa përshkoi këtë pjesë të Ungjillit, duke vënë në dukje si Shën Pali gjunjëzohet para Atit Qiellor, i cili ka pushtet të bëjë shumë më tepër nga ç’i kërkojmë o ç’mund të mendojmë. Shën Pali përdor një gjuhë, që kalon në poezi, pasi e adhuron Zotin, që për të është “si det pa brigje, pa kufi, det i pafundëm”. E i lutet për të gjithë ne, që të na përforcojë përmes Shpirtit Shenjt:
“I kërkon Atit që Shpirti Shenjt të vijë e të na përforcojë, të na japë forcë. Nuk mund të ecim përpara pa forcën e Shpirtit Shenjt. Forcat tona janë të dobta. Nuk mund të jemi të krishterë, pa hirin e Shpirtit Shenjt. Është pikërisht Shpirti ai, që na e ndryshon zemrën, që na bën të ecim me virtyt për të plotësuar Urdhërimet e Tënzot”.
Pastaj, vijoi komentin Papa, Shën Pali i kërkon një hir tjetër Atit Qiellor, i kërkon praninë e Krishtit, dashurinë e Tij, në mënyrë që edhe të dimë të duam e të bëjmë më tepër mirë:
“Kjo është përvojë mistike e shën Palit e na mëson lutjen e lavdit e lutjen e adhurimit. Para vogëlsive tona, para interesave tona të shumta egoiste, shën Pali shpërthen në këtë lavd, në këtë akt adhurimi e i lutet Atit të na dërgojë Shpirtin Shenjt, që të na japë forcën për të ecur përpara; që të na bëjë ta kuptojmë dashurinë e Krishtit e që Krishti vetë të na përforcojë në dashuri. E i thotë Atit: ‘Faleminderit, sepse Ti je i aftë të bësh atë, që ne nuk guxojmë as ta mendojmë’. Është lutje e bukur… Është lutje e bukur”.
Papa e përfundoi homelinë me fjalët:
“E me këtë jetë të brendshme mund të kuptohet lehtë pse shën Pali la gjithçka, e konsideroi gjithçka asgjë, për të fituar Krishtin e për t’u gjetur në Krishtin. Na bën mirë ta mendojmë këtë, na bën mirë të adhurojmë Zotin edhe ne. Na bën mirë të lëvdojmë Zotin, të hyjmë në këtë botë të gjerë, madhështore, botë e bujarisë dhe e dashurisë. Na bën mirë, sepse kështu mund të plotësojmë urdhërimin e madh – të vetmin urdhërim, që është baza e gjithë të tjerëve – urdhërimin e dashurisë: të duam Zotin dhe të afërmin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.