Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: Të devotshmit sa për sy e faqe
Në muajin e Rruzares, vijojmë shfletimin e veprës “Traktat i devocionit të vërtetë
për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort. Këto ditë, kemi
folur për devocionet e rreme, duke përmendur së pari të devotshmit skrupolozë. Sot
është radha e të devotshmëve sa për sy e faqe.
Të devotshmit,
që shikojnë dukjen (anën e jashtme) janë njerëz, të cilët gjithë devocionin ndaj Zojës
së Bekuar e shprehin përmes sjelljeve të jashtme; ata shijojnë vetëm anën e jashtme
të devocionit, thonë një sërë rruzaresh me nxit; ndjekin një mori meshësh, pa pikën
e vëmendjes; shkojnë në procesione, pa devocion; shkruhen në të gjitha bashkëvëllazëritë,
pa i ndryshuar asnjë presje jetës së vet, pa i ndrydhur pasionet e tyre e pa i përvetësuar
virtytet e kësaj Virgjëre të shenjtnueshme. Duan vetëm anën e jashtme, të ndjeshme,
të devocionit, pa shijuar thelbin; po të mos e ndjejnë këtë shije në praktikat e tyre,
besojnë se nuk janë më në gjendje të bëjnë asgjë, çkurajohen, braktisin gjithçka,
ose e bëjnë gjithçka sipas tekave të tyre. Bota është plot me të devotshëm të tillë,
që shikojnë anën e jashtme, e askush më shumë se ata, nuk i kritikon njerëzit, të
cilët e shikojnë vlerën shpirtërore si themelore, pa përbuzur as modestinë e jashtme,
që e shoqëron gjithnjë devocionin e vërtetë.