2014-10-18 13:17:28

Papa Françesku kremton meshën për përfundimin e Sinodit të Familjes dhe për lumnimin e Papës Pali VI


Nesër, në orën 10.30, Papa Françesku do të kremtojë meshën e përfundimit të Sinodit të jashtëzakonshëm të Ipeshkvijve për Familjen dhe do të lartojë në nderimet e elterit Shërbëtorin e Zotit, Papa Pali VI, duke e shpallut të Lum.RealAudioMP3
Shpallja e Giovanni Battista Montini i lum nga ana e Kishës bëhet vetëm pak më shumë se pesë muaj nga autorizimi i 9 majit 2014 për publikimin e Dekretit përkatës të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, me anë të të cilit njihet shërimi “shkencërisht i pashpjegueshëm” i një fëmije të sapolindur. Qe Shën Gjon Pali II ai, që deshi me zjarr hapjen e procesit dioqezan për Palin VI më 11 maj 1993. Më 20 dhjetor 2012 u shpall i denjë për t’u nderuar nga Kisha. Qe Papa Benedikti XVI ai, që i njohu zyrtarisht virtytet heroike. Ja një biografi e shkurtër e Papës Montini për ata, që ndoshta ia kanë dëgjuar emrin, por nuk e njohin mirë:
Lindi në Konçezio të Breshës më 26 shtator 1897. Para se të zgjidhej Papa i 262-të në Selinë e Shën Pjetrit më 21 qershor 1963, pas shën Gjonit XXIII, qe Mëkëmbës në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit dhe kryeipeshkëv i Milanos. Merita e tij e madhe qe përfundimi i Koncilit II të Vatikanit, pasi në vitet e para të papnisë së tij u miratuan të gjitha dokumentet, me të cilat Kisha Katolike u përgjigjej nevojave të epokës bashkohore. Këto dokumente reformonin liturgjinë e Kishës, ripohonin doktrinën e saj për martesën e planifikimin e lindjeve, për celibatin meshtarak, hapnin udhë të reja për ungjillëzimin e për dialogun me Kishat e tjera të krishtera e me botën, flisnin për katolicizmin shoqëror. Pali VI qe papa i parë që i kushtoi vëmendje, duke ngritur edhe strukturat përkatëse në Kishë, komunikimeve shoqërore, jo të krishterëve e jo besimtarëve, laikëve dhe impenjimit të tyre në bashkësinë e krishterë, themeloi Sinodin e Ipeshkvijve që e ndihmon Atin e Shenjtë në qeverisjen e Kishës, i dha rëndësi problemeve të paqes e të drejtësisë e me të nisi kremtimi i Ditës Botërore të Paqes.
Pali VI qe gjithashtu, papa i parë që udhëtoi me avion për të vizituar pesë kontinentet. Ka mbetur në histori shtegtimi i tij në Tokën Shenjte dhe përqafimi me Patriarkun ortodoks të Kostandinopojës, Atenagora I. Gjatë këtij takimi, të dyja Kishat anulluan shkishërimin e njëra-tjetrës, që mbante datën e largët të vitit 1054, duke i hapur kështu udhën dialogut ekumenik. Në vitin 1965, qe ipeshkvi i parë i Romës që foli para OKB-së, në emër të një Kishe, “eksperte në humanitet”. E Pali VI qe edhe Papa, që takoi shqiptarët në Vatikan kur Shqipëria vuante nën thundrën e regjimit komunist. Më 25 prill 1968, në 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, u fliste atdhetarëve të diasporës. Shembull i gjallë, që tregon se Selia e Shenjtë nuk e pati harruar për asnjë çast popullin e martirizuar shqiptar. Ndër të tjera, Papa Pali VI, duke theksuar se shqiptarët mund ta konsideronin Selinë Apostolike si shtëpinë e atyre atërore, pati thënë:
“Të dashur bij të Shqipërisë!
Ju takojmë me kënaqësi: vërtet, e dimë se fryma, me të cilën kremtoni këtë përkujtim, është ajo tradicionale e fisit tuaj, i cili, përmbi çdo interes, ka vendosur gjithmonë vlerat tradicionale të besës apo të besnikërisë në çdo impenjim, të nderës apo të nderit të vërtetë dhe, të burrnisë apo të tërësisë së virtyteve burrërore.
...E nëse historia ju ka parë të shtypur e të shpërndarë, mirësia e Zotit ka bërë që ju, me gjithë anëtarët e “gjakut tuaj të shprishur”, me aktivizmin e gjallë të lindur e me njohuritë e fituara, të ktheheni kudo në ndërmjetësues aleancash e bashkëpunimesh, që shpesh, ju kanë bërë paraprijës të ekumenizmit modern.
Urimi ynë, në këtë rast, për ju e për të gjithë shqiptarët, është që vuajtja të bashkohet gjithmonë me shpirtin tuaj tradicional heroik e, t’ju japë rast e meritë për të shërbyer si element mirëkuptimi e paqeje ndërmjet popujve e gjuhëve të ndryshme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.