2014-10-17 14:52:45

Papa për FAO-n: uria në botë, “jo” spekullimeve në emër të zotit të përfitimit


Për të zhdukur urinë në botë nuk mjafton ndihma nga jashtë, duhen ndryshuar politikat e zhvillimit e rregullat e tregut: kështu shkruan Papa në një mesazh për drejtorin e përgjithshëm të Organizatës Botërore për Ushqimin e Bujqësinë (FAO), porf. José Graziano da Silva, me rastin e Ditës së djeshme Botërore të Ushqimit.
Ati i Shenjtë kërkon që të mos spekullohet me çmimet, thjesht për t’iu bindur zotit të fitimit. Kujton miliona njerëz, të cilëve u mungon buka e përditshme, ndërsa Perëndimi hedh sasi të jashtëzakonshme ushqimesh, për të mos ulur çmimin e shitjes së tyre. Është një dramë e vërtetë, nënvizon Papa, para së cilës jemi shpesh të pafuqishëm, por edhe indiferentë, të paaftë të ndjejmë mëshirë për dhimbjen e të tjerëve, a thua se nuk kemi aspak përgjegjësi për këtë.
“Për të zhdukur urinë – shkruan Ati i Shenjtë – nuk mjafton të gjejmë zgjidhje për mungesat e fatkëqinjve, ose të ndihmojmë me ushqime e fonde ata, që jetojnë në gjendje emergjence. Duhet të ndryshojmë paradigmën e politikave të ndihmës e zhvillimit, të ndryshojmë rregullat ndërkombëtare për prodhimin dhe tregtinë e produkteve bujqësore, duke u garantuar vendeve, në të cilat bujqësia është baza e ekonomisë dhe e mbijetesës, vetëvendosjen për tregun bujqësor”.
“Deri kur – e ngre zërin Papa Françesku – do të vazhdojmë të mbrojmë sisteme prodhimi dhe konsumi, që përjashtojnë pjesën më të madhe të popullsisë botërore, edhe nga thërrimet që bien përtokë nga tryeza e të pasurve? Ka arritur koha të mendojmë e të veprojmë, duke u nisur nga çdo njeri e çdo bashkësi e jo nga tregu. Për rrjedhojë, duhet të ndryshojë edhe mënyra e kuptimit të punës, objektivat dhe veprimtaria ekonomike, prodhimi ushqimor dhe mbrojtja e ambientit. Ndoshta, kjo është e vetmja mundësi për të ndërtuar paqen e vërtetë në të ardhmen, e cila sot, kërcënohet edhe nga pasiguria ushqimore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.