35-vjet më parë Nënë Tereza vlerësohej me Çmimin Nobel për paqen.
Data e sotme na kujton 17 tetorin e vitit 1979, kur Juria ndërkombëtare e Akademisë
së Shkencave të Suedisë nderoi me Çmimin Nobel për paqen bamirësen shqiptare, Ganxhe
Bojaxhiu, Nënë Terezën. Rregulltarja e madhe u ngjit në tribunën ku janë ngjitur
njerëzit më të shquar të botës nga të gjitha fushat, veshur me sarin e grave të varfra
indiane dhe e pranoi çmimin vetëm sepse një pranim i tillë do t'u vlente shumë të
varfërve të saj. E, kur iu desh të jepte një nga intervistat më të rëndësishme,
në tribunën e Oslos, duke marrë në dorëzim Çmimin Nobel, Nënë Tereza foli në një mënyrë
krejtësisht të padëgjuar në atë sallë, që ka parë e ka dëgjuar mendjet më të ndritura
të njerëzmit. Ja si e kujton e Lumja Ganxhe Bojaxhiu, Nënë Terezë këtë ngjarje:
“Duhet
të them se pranoj të shkoj në ceremoni të ndryshme publike, vetëm sepse më krijohet
mundësia t’u flas për Jezusin njerëzve, të cilët nuk dihet në se do të kishin ndonjë
rast tjetër për të dëgjuar fjalën e Zotit. Një herë kam thënë edhe se e
kam më të lehtë të mjekoj një të gërbulur, sesa të përgjigjem në një intervistë. Në
Oslo ndodhi një mrekulli e vërtetë: u lutën të gjithë, në një vend ku s’ishte dëgjuar
kurrë ndonjë lutje. Ishim mbledhur në një sallë për dorëzimin e Çmimit e,
sapo m’u dha mundësia të flas, thashë: “Me që jemi mbledhur të gjithë për të falënderuar
Zotin e Çmimit Nobel për Paqen, mendoj se do të ishte vërtetë e bukur të luteshim
për paqen”. E të gjithë së bashku nisëm lutjen e Shën Françeskut: “Zot, më
bëj lajmëtar të paqes sate”, teksti i së cilës u qe shpërndarë të pranishmëve. Ishte
diçka vërtetë tronditëse. Prekëse. E mrekullueshme: luteshin të gjithë, ndonëse siç
dihet, numri i katolikëve në Norvegji është shumë i vogël. Më pas fola për abortin
e thashë: “Po kremtojmë vitin ndërkombëtar të Fëmijës. Sot po ju flas
për fëmijën, që nuk ka lindur akoma. Po ju flas në emër të fëmijës, që nuk e ka parë
ende dritën e diellit. Të abortosh do të thotë ta dënosh fëmijën me vdekje: të mos
duash që fëmija të jetojë, do të thotë ta vrasësh. Sot për sot, arma më e rrezikshme
kundër paqes, është aborti. Shumkush interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës,
ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit. Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten
nga vetë prindërit e tyre. E në se një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi,
kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!”. Duke kaluar nëpër Romë,
gjatë udhëtimit të kthimit, Ati i Shenjtë më tha: “Mos harro të flasësh
si në Oslo, kudo që të shkosh!”.